Vazhdojnë përplasjet politike për epideminë e ujit në Gostivar

Rasti me cilësinë e ujit të pijshëm në Gostivar ka nxitur akuza të reja mes pushtetit dhe opozitës, pasi ministri i Shëndetësisë njoftoi se rezultatet përfundimtare të analizave të ujit priten deri më 20 gusht, transmeton Portalb..mk.

Nga LSDM akuzojnë se institucionet po vonohen me analizat zyrtare dhe se Qeveria nuk ka reaguar me kohë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Partia pretendon se pushteti ka dhënë informacione kontradiktore për sigurinë e ujit dhe kërkon përgjegjësi politike dhe institucionale.

Nga VMRODPMNE u kundërpërgjigjën se problemi me ujin e pasigurt në Gostivar ka ekzistuar edhe gjatë qeverisjes së mëparshme të LSDM-së. Sipas tyre, institucionet e asaj kohe kishin informacione për praninë e baktereve në rrjetin e ujësjellësit, por nuk e kishin informuar opinionin dhe nuk kishin ndërmarrë masat e nevojshme.

Nga Aleanca për Shqiptarët kanë thënë situata e rëndë që kaloi Gostivari nuk duhet të shfrytëzohet për pikë politikë. Sipas tyre, mbi gjithë atë që ndodhi në qytet dhe shqetësimin e qytetarëve nuk ndërtohet as kauzë, as rejting dhe as fushatë partiake.

Në ndërkohë institucionet kompetente po vazhdojnë analizat e cilësisë së ujit, ndërsa rezultatet përfundimtare priten në gjysmën e dytë të gushtit.

Ndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.