Javën e kaluar shkrova për Odisenë dhe për episodin e sirenave, një nga rrëfimet që më ka magjepsur që në fëmijëri. Zakonisht sirenat i përfytyrojmë si krijesa që i joshnin udhëtarët me kënaqësi tokësore dhe me bukurinë e këngës së tyre. Por premtimi i tyre më i fuqishëm për Odiseun ishte diçka edhe më e parezistueshme: dija. Ato pretendonin se dinin gjithçka që kishte ndodhur dhe gjithçka që ndodhte në botë.
A ka tundim më të madh se ky?
Sot nuk na duhet të lundrojmë pranë një ishulli të rrezikshëm për ta dëgjuar këtë premtim. Sirenat i mbajmë në xhep. Telefonat e mençur, Google dhe tashmë inteligjenca artificiale na krijojnë përshtypjen se e gjithë dija e botës ndodhet vetëm një pyetje larg nesh. Mund të kërkojmë një fakt historik, të kuptojmë një teori, të përkthejmë një tekst apo të zhvillojmë një debat për çështje që dikur do të kërkonin orë të tëra në bibliotekë dhe bashkëbisedim me më shumë ekspertë të fushës.
Këtë e përjetova së fundmi gjatë një vizite në Stamboll. Nuk e di më për të satën herë kthehem në këtë qytet, dhe gjithmonë aty zbuloj vende dhe histori të reja që nuk i kam njohur më parë. Kësaj radhe vëmendja ime u përqendrua te historia mbresëlënëse e pushtimit të Kostandinopojës nga Mehmeti II dhe te mënyra se si një fitore ushtarake shndërrohet në një rrëfim që legjitimon një perandori.
Pikërisht kjo më çoi në xhaminë e njohur si Ejup Sulltan. Sipas historisë osmane, pas pushtimit të qytetit, prijësi shpirtëror i Mehmetit II, Akshemseddini, identifikoi varrin e Ebu Ejub el-Ensarit, njërit prej bashkëpunëtorëve të afërt të Profetit Muhamed, i cili besohej se kishte vdekur gjatë një rrethimi arab të Kostandinopojës në shekullin VII dhe ishte varrosur pranë mureve të qytetit. Gjetja e varrit i dha fitores së vitit 1453 një kuptim që shkonte përtej suksesit ushtarak. Pushtimi mund të paraqitej si përmbushje e një misioni të nisur shekuj më parë, si diçka që ishte paracaktuar të ndodhte. Fuqia e re nuk kishte marrë vetëm qytetin; kishte fituar edhe një rrëfim përmes të cilit mund ta arsyetonte dhe ta shenjtëronte pushtetin e vet.
Këtu është e vështirë të mos mendosh për Yuval Noah Hararin dhe idenë e tij se aftësia për të krijuar e për të besuar në rrëfime të përbashkëta i mundëson Homo sapiensit të bashkëpunojë në grupe të mëdha. Fundja, perandoritë nuk janë mbajtur vetëm me ushtri. Ato janë mbajtur edhe me ideologji, mite dhe bindjen se rendi që përfaqësonin ishte i natyrshëm, i drejtë apo madje i paracaktuar.
Nga kjo histori lindi edhe biseda ime e gjatë me inteligjencën artificiale për Mehmetin II dhe bashkëkohësin e kundërshtarin e tij, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, figurën qendrore të historisë sonë kombëtare. Rezistenca e Skënderbeut merr një peshë edhe më të madhe kur kujtojmë se ai nuk po përballej me një fuqi të zakonshme rajonale, por me perandorinë që kishte arritur të pushtonte Kostandinopojën dhe po ndryshonte ekuilibrat e të gjithë kontinentit. Fakti që ai arriti ta sfidonte për vite me radhë një fuqi të atij kalibri e bën qëndresën e tij historikisht të jashtëzakonshme.
Më befasoi veçanërisht mënyra se si inteligjenca artificiale e analizoi kthimin e Skënderbeut në Krujë dhe arsyet që mund të kenë bërë që ai të mos e harronte vendin dhe prejardhjen e tij, pavarësisht procesit të rëndë të devshirmes dhe edukimit brenda sistemit osman. Shpjegimet ishin të kujdesshme, të balancuara dhe të mbështetura në kontekstin historik, pa rënë as në romantizim kombëtar, as në thjeshtime të panevojshme. Pikërisht kjo qasje objektive dhe e argumentuar e bënte bisedën të dukej si një diskutim i mirëfilltë akademik, ku çdo përgjigje hapte një pyetje të re.
Pas kthimit nga udhëtimi im i shkurtër, kalova pothuajse një ditë të tërë duke iu rikthyer këtij diskutimi dhe duke u thelluar gjitnjë e më shumë në të. Për një çast, përvoja ngjante vërtet me premtimin e sirenave: jo vetëm mundësinë për të marrë një informacion të shpejtë, por tundimin për të depërtuar gjithnjë e më thellë në histori dhe në dilemat e saj, sikur e gjithë dija e botës të ishte menjëherë në dispozicionin tonë.
Por pikërisht këtu fillon edhe dilema.
A mjafton të kemi qasje në pothuajse çdo informacion për të thënë se zotërojmë dije? Dhe, edhe kur e fitojmë atë dije, a dimë vërtet ta përdorim me mençuri?
Informacioni mund të na jepet menjëherë. Dija, ndërkaq, kërkon përpjekje: krahasim burimesh, dyshim, përqendrim, kohë dhe gatishmëri për të ndryshuar mendim. Urtësia kërkon diçka edhe më të vështirë: të kuptojmë se cilat pyetje ia vlen t’i shtrojmë, cilave përgjigje mund t’u besojmë dhe çfarë duhet të bëjmë me atë që mësojmë. Teknologjia mund ta thellojë mendimin tonë, por mund edhe ta zëvendësojë atë. Mund të na ndihmojë të bëhemi më kureshtarë, por mund edhe të na mësojë të presim përgjigje të gatshme. Mund të na hapë botën, por njëkohësisht mund të na mbyllë brenda një ekrani.
Dhe, natyrisht, kjo qasje nuk është krejtësisht falas. Ne paguajmë me kohën, vëmendjen, të dhënat dhe zakonet tona. Çdo kërkim, klikim dhe minutë e kaluar në një platformë ndihmon në ndërtimin e asaj që Yanis Varoufakis e quan “kapitali i resë” dhe në fuqizimin e feudeve të reja teknologjike. Ne nuk jemi vetëm përdorues të këtyre sistemeve; jemi edhe burimi prej të cilit ato ushqehen, mësojnë dhe rriten. Me fjalët e Varoufakisit, ne jemi “bujkrobërit e resë” – cloud serfs – njerëz që punojnë për feudalët e rinj pa marrë rrogë. Madje, këtë punë e bëjmë me shumë dëshirë, duke ua dorëzuar kohën, vëmendjen, identitetin dhe të dhënat tona botës së kapitalit të resë.
Ndoshta kjo është kënga moderne e sirenave. Ajo nuk na premton vetëm kënaqësi dhe argëtim, por diçka shumë më tërheqëse: ndjenjën se mund të dimë gjithçka, menjëherë dhe pa kufi. Megjithatë, përgjigjja nuk mund të jetë mbyllja e veshëve ndaj teknologjisë. Odiseu nuk hoqi dorë nga dëshira për ta dëgjuar këngën e sirenave. Ai deshi ta dëgjonte, por u përgatit që të mos humbiste drejtimin. Edhe ne duhet të mësojmë ta përdorim fuqinë e jashtëzakonshme të dijes së qasshme, pa ia dorëzuar asaj tërësisht kohën, vëmendjen dhe aftësinë tonë për të menduar në mënyrë të pavarur.
Sepse sfida e kohës sonë nuk është më vetëm të gjejmë informacionin. Sfida është të mos humbasim veten brenda tij.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.