Toshkovski drejtuar gostivarasve: Lërini çezmat të rrjedhin që sistemi të pastrohet më shpejt

Situata me ujin në Gostivar nuk ka ndryshime të mëdha, mund të përdoret si ujë teknik, për larje dhe për dush, por jo për pije ose gatim, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili është edhe drejtues i Komitetit Drejtues për koordinimin dhe menaxhimin e sistemit të menaxhimit me kriza, tha se klorifikimi i shtuar do të vazhdojë. 

“Do të ishte mirë që çdo qytetar i cili është pronar i një prone të caktuar, ta lëshojë ujin që gjendet aktualisht në sistem, me qëllim që të kemi pastrim sa më të shpejtë, jo vetëm të tubacioneve primare, por edhe të atyre sekondare”, tha Toshkovski.

Emilija Anevska, eksperte nga Ujësjellësi i Shkupit, e cila po ndihmon në pastrimin e ujit në Gostivar tha se klori në kaptazh është rritur në një nivel pak më të lartë, është bërë shpëlarje e rrjetit të ujësjellësit në disa periudha të njëpasnjëshme dhe të gjithë këtë proces e ndjekin vazhdimisht si laborator.

Ministria e Shëndetësisë sot informoi se situata epidemiologjike në Gostivar po monitorohet vazhdimisht nga institucionet kompetente shëndetësore.

Gjatë 3 gushtit janë regjistruar gjithsej 78 kontrolle, që është për gjashtë më pak krahasuar me një ditë më parë, kur ishin evidentuar 84 kontrolle.

Ndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.