Vazhdojnë arrestime për dhunë familjare në Maqedoninë e Veriut
Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar tre persona në lidhje me raportimet për dhunë familjare. Këto arrestime janë kryer në 24 orët e fundit, ndërsa përfshihen raste të ndryshme, transmeton Portalb.mk.
Në orët e mesnatës, Policia e arrestoi 40 vjeçarin nga Shkupi, pasi e kishte sulmuar fizikisht babin e tij 61 vjeçar. Për arsye të njëjtë, një prind 57 vjeçar nga Shkupi e kishte denoncuar djalin e mitur pasi e kishte kërcënuar me jetë.
“Nëpunës policorë nga Stacioni Policor Berovë e privuan nga liria D.K. (47) nga rajoni i Berovës, duke vepruar pas kallëzimit paraprak se nuk e kishte respektuar masën e përkohshme për mbrojtje nga dhuna në familje të shqiptuar nga Gjykata Themelore Berovë dhe e kishte shqetësuar, fyer dhe maltretuar bashkëshorten e tij”, raportoi Policia.
Në 24 orët e fundit ishin raportuar edhe raste të tjera, si rasti i Kriva Pallankës ku vajza e ka sulmuar fizikisht nënën.
“Nëpunës policorë nga SPB Veles privuan nga liria një 49-vjeçare nga Velesi, duke vepruar pas një kallëzimi paraprak se fillimisht me mesazhe kishte kërcënuar motrën e saj 52-vjeçare, pas çka kishte shkuar në oborrin e saj dhe kishte vazhduar me kërcënimet. Ajo është ndaluar në stacion policor, ndërsa janë njoftuar prokurori publik dhe Qendra për Punë Sociale Veles”, raportoi Policia.
Ndryshe, për shkak të këtyre rasteve, MPB po përgatit ndryshime në ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, kryesisht në seksionin mbi masat urgjente dhe të përkohshme. Sipas njoftimit të ministri Pançe Toshkovski në fund të prillit, kjo përfshin futjen e një autoriteti të ri policor me të cilin një zyrtar i policisë, bazuar në një vlerësim të rrezikut, do të jetë në gjendje të lëshojë menjëherë një masë urgjente për të mbrojtur viktimën, d.m.th. ta largojë abuzuesin nga shtëpia, ta ndalojë atë të afrohet dhe ta ndalojë atë të kontaktojë me viktimën.
Tragjedia e 2 marsit 2026, në të cilën një grua nga Shkupi dhe vajza e saj gjashtëvjeçare vdiqën pasi ranë nga një ballkon në Shkup pas shumë vitesh dhunë në familje, rihapën temën e përgjegjësisë së institucioneve që supozohet të mbrojnë viktimat. Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike mes bashkëshortëve.
- LEXO: Jovanovski u la në paraburgim në mënyrë që provat në lidhje me abuzimin e Ivanës dhe vajzës të mund të mblidheshin pa pengesa
- LEXO: Vdekja tragjike e nënës dhe vajzës në Shkup, paraburgim 48 orë për të dyshuarin kryesor
- LEXO: Toshkovski: Viktima raportoi dhunë dje, por më pas e hoqi denoncimin, bashkëshorti i saj u provua me urdhër gojor
- LEXO: Tragjedia në Karposh: Është ndaluar një person, Prokuroria nisi hetimet për vdekjen e nënës dhe fëmijës