Tragjedia në Karposh: Është ndaluar një person, Prokuroria nisi hetimet për vdekjen e nënës dhe fëmijës
Një person është ndaluar në stacion policor dhe, me urdhër të prokurorit publik, po ndërmerren veprime për të hetuar përgjegjësinë e mundshme penale për rastin e djeshëm në Karposh, kur një nënë dhe fëmija vdiqën nga rënia nga një ndërtesë shumëkatëshe, transmeton Portalb.mk.
“Është siguruar urdhër nga një gjyqtar i procedurës paraprake dhe gjatë ditës do të kryhet bastisje e detajuar e banesës, e cila u vulos dhe u sigurua menjëherë pas inspektimit. Sipas gjetjeve fillestare, në kohën e ngjarjes, e ndjera dhe vajza e mitur ishin vetëm në apartament, të mbyllur nga brenda.
Sot, me urdhër të prokurorit publik, po merren në pyetje disa persona që kanë informacione të caktuara, po nxirren të dhëna nga telefonat celularë dhe po sigurohen pamje nga kamerat e mbikëqyrjes dhe pamje të tjera nga disa vende”, thonë nga Prokuroria.
Ata shtojnë se dje u urdhërua edhe autopsi e të ndjerës.
Lidhur me procedurat e mëparshme, prokurori publik kërkoi raportim të detajuar nga Ministria e Brendshme dhe Qendra për Punë Sociale me të gjitha raportet dhe ankesat e mundshme të mëparshme nga pala e dëmtuar, dhe gjithashtu do të urdhërojë kontrollin e brendshëm të Ministrisë së Brendshme të hetojë procedurat pas këtyre raporteve.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë nga ana tjetër tha se duke vepruar në përputhje me kompetencat ligjore dhe parimin e kujdesit të duhur, zbatoi mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Qendrën për Punë Sociale – Shkup, me qëllim të përcaktimit të plotë dhe të paanshëm të gjendjes faktike dhe mënyrës së veprimit të institucionit. Nga kjo Ministri shtojnë se mbikëqyrja inspektuese është në vijim, ndërsa pas përfundimit të saj shtojnë se do ta informojnë në mënyrë transparente opinionin për gjetjet dhe masat e mëtejshme.
Dëshmitarë okularë dhe fqinjë nga ndërtesa ku jetonte gruaja për disa media thanë se ajo është abuzuar nga bashkëshorti i saj, por autoritetet nuk e mbrojtën. Ndërkohë, vëllai i të ndjerës, Aleksandar Stojanoski, vdekjen e motrës dhe foshnjës së saj e cilësoi si vrasje.