Vala e të nxehtit në Evropë po vjen edhe në Ballkan, priten rekord temperaturash

Evropa Jugore do të vazhdojë të jetë jashtëzakonisht e nxehtë dhe me avull javën e ardhshme, pasi vala e fortë e nxehtit nuk tregon shenja të zbutjes. Italia, Spanja dhe Greqia prej disa ditësh po përjetojnë temperatura të larta, njofton Koha.net.

Ministria e Shëndetësisë e Italisë lëshoi ​​një alarm të kuq për 16 qytete gjatë fundjavës, përfshirë Romën, Bolognan dhe Firencen. Vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe për shtatë ditët e ardhshme, me një temperaturë të mundshme 48 gradë Celsius në Sardenjë, raportojnë mediat italiane.

“Temperaturat do të arrijnë kulmin midis 19 dhe 23 korrikut, jo vetëm në Itali, por edhe në Greqi, Turqi dhe Ballkan”, ka thënë meteorologu italian dhe eksperti i klimës, Giulio Betti, transmeton BBC.

Qeveria italiane ka këshilluar këdo në zonat e përfshira nga alarmi i kuq i së shtunës që të shmangë rrezet e diellit direkte nga ora 11:00 deri në orën 18:00 dhe u kërkua kujdes i veçantë për të moshuarit dhe të pambrojturit.

Ndërkohë që ditët e fundit në Greqi temperaturat po arrijnë deri në 40 gradë Celsius e më shumë. Akropoli në Athinë – atraksioni më i njohur turistik i vendit – u mbyll gjatë orëve më të nxehta të premten dhe të shtunën për të mbrojtur vizitorët.

Në ishujt Kanarie të Spanjës, një zjarr pyjor që shpërtheu në La Palma të shtunën në mëngjes detyroi evakuimin e të paktën 4 mijë njerëzve dhe deri më tani ka shkatërruar 4.500 hektarë tokë.

Vala e nxehtë evropiane do të përhapet në Ballkan më vonë javën e ardhshme – megjithëse disa vende, si Serbia dhe Hungaria, tashmë po përjetojnë temperaturat e ditës që lëvizin rreth 35 gradë Celsius. Temperatura të ngjashme ka edhe në Kosovë.

“Valët e të nxehtit po rriten çdo vit në numër dhe intensitet dhe ato janë ndër shenjat më të prekshme, evidente, të dokumentuara dhe qartësisht të dukshme të ndryshimeve klimatike”, ka thënë Betti.

Muaji i kaluar ishte qershori më i nxehtë i regjistruar, sipas shërbimit evropian të monitorimit të klimës Copernicus.