Qeveria dhe Prokuroria po i fshehin rezultatet e analizave të ujit në Gostivar

Edhe pse u thirr konferencë e posaçme për shtyp, përfaqësuesit e institucioneve shtetërore nuk i bënë publike rezultatet e analizës së ujit në Gostivar, ku deri më tani janë helmuar mbi 3.100 qytetarë. Siç pranoi ministri i ri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, rezultatet ekzistojnë dhe tashmë i janë dorëzuar Prokurorisë, por për t’i bërë publike duhet më parë të marrë leje nga Prokuroria Publike. Mostrat e ujit në Gostivar janë marrë që të enjten në mbrëmje, por opinioni publik në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka informacion të saktë se çfarë e shkaktoi epideminë, transmeton Portalb.mk.

“Prokuroria i ka kërkuar gjetjet e Institutit të Shëndetit Publik. Ata duhet të na njoftojnë se mund t’i bëjmë publike dhe atëherë do t’i publikojmë. Edhe unë nuk i kam informacionet. Ato janë dorëzuar me kërkesë të tyre. Po pres rezultatet e koprokulturave dhe ato nga institucionet e tjera që po kryejnë analiza. Derisa të marrim pëlqimin, nuk do t’i publikojmë informacionet. E them qartë se sapo të marr leje për qasje në këto informacione, do ta informoj publikun”, tha Klekovski.

As Prokuroria Publike nuk zbulon asgjë lidhur me epideminë në Gostivar. Nga atje dhanë një përgjigje të shkurtër dhe të paqartë, duke thënë se po mblidhen prova dhe se procedura është në fazën e hetimeve paraprake, të cilat janë konfidenciale.

“Prokuroria Publike vazhdon të ndërmarrë veprime hetimore për mbledhjen e provave. Të gjitha provat e mbledhura deri më tani, si dhe ato që pritet të dorëzohen, po analizohen për të përcaktuar gjendjen faktike, nga e cila do të dalë kualifikimi juridik i një vepre të mundshme penale dhe identifikimi i autorëve. Procedura është në fazën e hetimeve paraprake, e cila është e fshehtë. Menjëherë pasi të sqarohen të gjitha rrethanat dhe të merret vendimi përkatës nga Prokuroria, opinioni do të njoftohet”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në konferencën e sotme për shtyp foli edhe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska. Ajo informoi se, me kërkesë të Prokurorisë, ekipet dolën menjëherë në terren për të marrë mostra për analizë, por nuk tregoi çfarë rezultuan analizat e ujit, edhe pse konfirmoi se ato tashmë kanë përfunduar.

“Të enjten morëm një kërkesë me e-mail nga Prokuroria për të dalë në terren dhe për të marrë mostra të ujit në rajonin e Gostivarit. Brenda një ore u organizuam dhe dolëm në terren. Mostrat u dërguan menjëherë për analiza. U morën mostra nga katër vende dhe u kryen analiza mikrobiologjike dhe kimike. Disa analiza kërkojnë 24 orë, disa 48 dhe disa 72 orë. Mund të lindë nevoja edhe për analiza shtesë. Analizat janë përfunduar plotësisht dhe i janë dorëzuar Prokurorisë”, tha Andonovska.

Klekovski njoftoi gjithashtu se sot po mblidhet edhe Komisioni për Sëmundjet Infektive, i cili pritet të dalë me rekomandime për qytetarët.

“Deri në këtë moment kemi 3.100 kontakte shëndetësore, ku përfshihen telefonatat, ndërhyrjet e Ndihmës së Shpejtë, pranimi dhe ekzaminimi i qytetarëve. Vetëm dje pati 564 kontakte të para me sistemin shëndetësor, prej tyre 289 në spital dhe 275 në Qendrën Shëndetësore. Aktualisht janë të shtruar tre të rritur dhe një fëmijë. Pasqyra klinike mbetet e njëjtë – probleme me stomakun, më rrallë ethe dhe temperaturë. Të gjithë pacientëve u bëhen analizat e nevojshme laboratorike. Në asnjë moment Ministria e Shëndetësisë nuk ka fshehur informacione. Unë i pari njoftova se rastet e para u regjistruan natën e 13 korrikut. Do të vazhdojmë të informojmë në mënyrë transparente për të gjitha faktet”, tha ai.

Ai mohoi se kishte deklaruar se nuk kishte kushte për shpalljen e epidemisë dhe sqaroi se kjo është kompetencë e epidemiologëve. Në këtë rast, institucioni përgjegjës ishte Qendra për Shëndet Publik – Tetovë.

“Ata e shpallën epideminë bazuar në të dhënat që tregonin rritje dyfish të rasteve. U bëjmë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me punonjësit shëndetësorë dhe të japin informacionet e nevojshme për anketat epidemiologjike. Kjo nuk është hera e parë që ndodh një situatë e tillë në Gostivar. Në vitin 2017 pati rreth 700 pacientë të raportuar, por nuk u zbulua shkaktari. Këtë herë do ta përcaktojmë shkakun”, tha Klekovski.

Në konferencën tematike mori pjesë edhe zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.

Pak ditë më parë, inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve.

Drejtoresha e Ndërmarrjes Publike “Komunalec” – Gostivar, Arta Asani, në një deklaratë për mediat lokale mohoi se uji ishte shkaku i problemit, duke thënë se tre analizat e fundit të kryera gjatë këtij muaji – pa specifikuar datat – kishin treguar se uji ishte i sigurt për pije dhe në përputhje me standardet ligjore.

Pasi prof. dr. Nikolla Panovski reagoi në Facebook se, në kushtet e një numri kaq të madh rastesh me gastroenterit në Gostivar, duhej të shpallej epidemi, Qendra për Shëndet Publik në Tetovë shpalli zyrtarisht epideminë.

Ndryshe, Gostivari po përballet me një epidemi të problemeve gastrointestinale, pasi numri i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim vazhdon të jetë i lartë. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, çdo ditë paraqiten rreth 250 deri në 300 pacientë të rinj. Institucionet shëndetësore po kryejnë analiza laboratorike dhe hetime epidemiologjike për të përcaktuar shkaktarin, ndërsa qytetarëve u është rekomanduar të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit deri në daljen e rezultateve përfundimtare.