Zhvillimet e fundit në Gostivar, kjo është gjendja e fundit e pacientëve nëpër spitale

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut njoftoi se ka rënie të numrit të pacientëve në shtëpitë e shëndetit në Gostivar, transmeton Portalb.mk.

“U regjistrua rënie fillestare e numrit të pacientëve të sapoekzaminuar në spitalin dhe qendrat e shëndetit në Gostivar, aktivisht po ndiqet gjendja në teren”, raportoi Ministria e Shëndetësisë.

Ministria raportoi se deri më tani në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar janë regjistruar 1 554 pacientë, në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar 1 392 pacientë.

Dje u regjistruan 564 pacientë të sapoekzaminuar, ndërkohë një ditë më herët 649, ndërkohë Ministria vlerësoi se gjendja shëndetësore e pacientëve është stabile.

Ndryshe, Gostivari po përballet me një epidemi të problemeve gastrointestinale, pasi numri i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim vazhdon të jetë i lartë. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, çdo ditë paraqiten rreth 250 deri në 300 pacientë të rinj. Institucionet shëndetësore po kryejnë analiza laboratorike dhe hetime epidemiologjike për të përcaktuar shkaktarin, ndërsa qytetarëve u është rekomanduar të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit deri në daljen e rezultateve përfundimtare.