UEFA futi Mourinhon në procedurë disiplinore

UEFA ka hapur zyrtarisht procedurat disiplinore ndaj trajnerit të Romës, Jose Mourinho, për fyerjet ndaj gjyqtarit Anthony Taylor pas humbjes në finalen e Ligës së Evropës ndaj Sevillas, raporton Koha.net.

Një deklaratë nga komiteti disiplinor i UEFA-s, të premten përshkroi një sërë akuzash kundër të dy klubeve pas një finaleje të zjarrtë në “Puskas Arena” në Budapest.

Të dy klubet u akuzuan për hedhjen e objekteve dhe ndezjen e fishekzjarreve nga tifozët e tyre, duke shtuar këtu edhe sjelljet e pahijshme të ekipeve.

Për më tepër, Sevilla u akuzua gjithashtu për pushtim të fushës së lojës, ndërsa Roma u akuzua për akte dëmtimi dhe shqetësime të turmës.

Konkretisht, vetëm Mourinho u akuzua për “gjuhë fyese ndaj një zyrtari të ndeshjes”. Ai u kap nga kamera duke fyer gjyqtarin Taylor në parkingun e veturave pas ndeshjes.