KE raport në fund të verës për Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ka dhënë përkrahjen e tij për planin me katër pika për Ballkanin Perëndimor i publikuar nga Komisioni Evropian. Sipas Michel, Komisioni Evropian do të ketë mundësine që pas sezonit veror të publikojë një raport të shkruar përsa i përket zgjerimit, raporton Klan.

“Ne kemi një agjendë politike të qartë për sa i përket hapave konkretë që do të ndërmarrim së shpejti për sa i përket zgjerimit të BE-së. Komisioni Evropian do të ketë mundësinë që pas sezonit veror për të publikuar një raport të shkruar për sa i përket zgjerimit. Unë si President i Këshillit Evropian jam plotësisht i angazhuar për ta përfshirë këtë temë në krye të agjendës se mbledhjes së liderëve evropianë në muajin Dhjetor.”

Shqipëria pret një vendim pozitiv në fund të vitit që të nisë më në fund negocimin e kapitujve të anëtarësimit në BE. Vendi ynë aplikoi në vitin 2009 për statusin kandidat të cilin e mori në vitin 2014 ndërsa është në pritje të hapjes së negociatave. BE premton një rritje të fondeve të para-anëtarësimit për Shqipërinë dhe shtetet e tjera të rajonit të cilat, për periudhën 2021-2027, janë aktualisht në total në shifrën e 14.1 miliardë euro.