U shkarkua Teuta Llalla, Jeton Kamberi në krye të Gjimnazit të Tetovës

Gjimnazi i Tetovës “Kiril Pejçinoviq” nga sot ka drejtor të ri. Teuta Llalla është shkarkuar para dy ditëve nga posti i drejtoreshës ndërsa sot Këshilli i Shkollës ka përzgjedhur Jeton Kamberin si drejtor. Komuna e Tetovës thekson se zgjedhja e drejtorit të ri është bërë jo në baza politike ndërsa ish drejtoresha Llalla thekson se nuk është e njoftuar për këtë vendim pasi është në pushim vjetor, shkruan Portalb.mk.

Teuta Llalla u shkarkua nga ky post, siç sqarojnë nga Sektori i Arsimit për Portalb.mk për shkak të keqpërdorimeve financiare sipas propozimit të vjetër, që ajo u shkarkua edhe në maj të vitit 2022.

Valedin Ademi udhëheqës i Sektorit të Arsimit në Komunën e Tetovës për Portalb.mk sqaroi se pas shkarkimit të Llallës, Këshilli i Shkollës ka pasur në dorë përzgjedhjen e drejtorit të ri. Siç tha ai kjo përzgjedhje është bërë në jo në baza politike, pra këshilli ka vendosur dhe më pas e ka përcjellë me shkresë vendimin deri te komuna.

“Sot, Gjimnazi i Tetovës ka drejtor të ri. Jeton Kamberi profesor i lëndëve juridike, me përvojë 20 vjeçare do të udhëheq me Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviç”. Me dy kandidatë në garë, Jeton Kamberi ka fituar shumicën e votave nga Këshilli i Shkollës, pra, 48 vota”, informoi Ademi.

Në lidhje me këtë ndryshim kontaktuam tani më ish drejtoreshën Teuta Llalla, mirëpo ajo nuk ishte e informuar për shkarkimin e saj. Ajo për Portalb.mk tha se prej neve e dëgjon për herë të parë dhe se është në pushim vjetor.

“Prej datës 23 janar jam në pushim vjetor, me të drejtë ligjore më takon pushim vjetor dhe kam marrë disa ditë pushim vjetor. Nuk jam e njoftuar zyrtarisht për këto procese. Ju jeni i pari që ma konfirmoni lajmin. Aspak nuk jam e informuar, jam në pushim vjetor nga data 23 janar, tani çka ka ndodhur brenda natës nuk e di dhe po më vjen shumë interesant, nuk e di a ka të drejtë ligjore të më shkarkojë derisa jam në shfrytëzim të pushimit vjetor”, tha Llalla

Kujtojmë që me 16 janar 2023 Gjykata Administrative e RMV-së ia ktheu kompetencat e përgjithshme për gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq” kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit të cilat në korrik 2023 iu morën nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Portalb.mk pyeti se nëse pas këtij vendimi do e shkarkojnë drejtoreshën e gjimnazit, udhëheqësi i Sektorit të Arsimit në Komunë, Valedin Ademi u përgjigj kështu:

“Është fitore shumë e madhe kjo që ka ndodhur, ne si Komunë e Tetovës do ta respektojmë propozim vendimin e këshillit të shkollës i cili është organi më i madh vendimmarrës në atë institucion”, tha Ademi.

Problemi me kompentencat daton që në maj të vitit 2022 kur drejtoresha e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” Teuta Llalla u shkarkua nga pozicioni i drejtoreshës nga ana e Komunës së Tetovës për keqpërdorime financiare. Shkarkimi i Llallës, sipas Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) ishte bërë në kundërshtim me ligjin. Më pas Ministria e Arsimit ia mori kompetencat kryetarit të Komunës për shkarkimin dhe emërimin e drejtorit në këtë shkollë, me çka Lalla u rikthye në punë si drejtoreshë. Ndërkaq, në korrik 2023 Ministria ia mori kompetencat Komunës së Tetovës për gjimnazin jo vetëm për emërim dhe shkarkim, por edhe për punët e përgjithshme. Si rezultat i marrjes së kompetencave dhe konfuzionit për atë se kush është përgjegjës për shkollën, gjimnazi disa herë ka mbetur pa rrymë.