RMV, grupi punues për reforma në Këshillin Gjyqësor shqyrtoi 40 rekomandimet e Misionit Vlerësues të BE-së

Grupi punues për reforma në Këshillin Gjyqësor i shqyrtoi  të gjitha 40 rekomandimet e Misionit Vlerësues të BE-së.Gjatë periudhës që vijon do të konkretizohen mendimet dhe qëndrimet e anëtarëve të grupit punues, me qëllim të fillimit të ndryshimit të Ligjit për këshillin gjyqësor, informoi Ministria e Drejtësisë, transmeton Portalb.mk.

Janë parashikuar ndryshime në pjesën e zgjedhjes, përgjegjësisë dhe shkarkimit të kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, si dhe zgjedhjen dhe avancimin e gjyqtarëve.

U diskutua edhe për pavarësinë e Këshillit Gjyqësor. Për realizimin e disa reformave të caktuara në Këshillin Gjyqësor, janë të domosdoshme ndryshime kushtetuese për të cilën grupi punues ka mendim të ndarë.

Misioni vlerësues i BE-së në dhjetor të vitit të kaluar përgatiti raport me gjithsej 40 rekomandime për punën e Këshillit Gjyqësor në vend. Nga 40 rekomandimet, 17 janë në sferën e vetë Këshillit Gjyqësore, ndërsa për 23 të tjerët nevojiten intervenime në Kushtetutë dhe në ligjet të cilët e rregullojnë materien konkrete.

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut me 3 janar ktheu në pozitën e kryetares Vesna Dameva, e cila u shkarkua më 26 prill me vetëm shtatë vota pro, pas çka Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri. Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.