Gjimnazi i Tetovës “Kiril Pejçinoviq” përsëri mbeti pa rrymë

Pa rrymë ka ngelur përsëri gjimnazi i Tetovës “Kiril Pejçinovq” për shkak të borxheve të shkollës. Rryma u ndërprerë dje ndërkaq edhe mësimi bashkë me të për shkak të mungesës së ngrohjes dhe ndriçimit. Megjithatë shkollës sot iu rikthye energjia elektrike, shkruan Portalb.mk.

Drejtoresha e Gjimnazit, Teuta Llalla për Tetovoinfo bëri me dije se furnizimi me energji elektrike është ndërprerë nga kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike për shkak të borxhit të papaguar.

“Energjia nuk është paguar sepse shkolla ka borxhe, ndaj mjetet që na vijnë nga Ministria e Arsimit i marrin përmbaruesit. Për shtatë muajt e parë të këtij viti, sipas njohurive të mia, fondet tona kanë mbetur në komunë dhe prandaj kemi borxhe. Drejtpërsëdrejti kam kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që të gjejë një zgjidhje për problemin” , tha Teuta Lalla.

Shkolla e mesme “Kiril Pejçinoviq”, që nga korriku i vitit 2023 është nën ingerenca të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës pasi kjo e fundit ia mori ingerencat Komunës së Tetovës.

Dërguam pyetje në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës se si do e zgjidhin këtë problem, nga atje shkurt na u përgjigjën:

“Sfida teknike tashmë është tejkaluar dhe shkolla ka energji elektrike”.

Se energjia elektrike u rikthye na e konfirmuan edhe nga vetë shkolla, rryma erdhi rreth orës 12:00.

Nga ana tjetër, kanë reaguar nga Komuna e Tetovës. Validin Ademi nga Sektori i Arsimit në një konferencë për shtyp tha se kjo vjen si rezultat i paaftësisë së drejtuesve të këtij institucioni dhe Ministrisë së Arsimit e cila disa herë ka deklaruar se do të paguajë detyrimet për të vazhduar procesi mësimor normalisht.

“Në fakt po ndodh e kundërta. Komuna e Tetovës nuk ka asnjë kompetencë në Gjimnazin e Tetovës, pasi Ministria ia ka marrë kompetencat”, tha Ademi.

Ai kërkoi që MASh-i të zgjidh këtë problem ose të ja rikthejë kompetencat komunës.

Kjo nuk është hera e parë që kjo shkollë mbetet pa rrymë. Ndërprerje të rrymës kishte në muajin shtator 2023 ndërsa më pas edhe në muajin tetor 2023.

Gjimnazi ka rreth 1300 nxënës ndërkaq mësimin ata e ndjekin në dy objekte, ai qendror dhe tjetri i njohur si “Mjekësia e Vjetër”.

Përplasjet midis drejtoreshës së gjimnazit “Kirili Pejçinoviq”, Komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Arsimit zanafillën e kanë që në muajin maj 2022. Teuta Llalla vitin e kaluar u shkarkua nga pozicioni i drejtoreshës nga ana e Komunës së Tetovës. Shkarkimi i drejtoreshës së Gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviq” Lalla sipas Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) është bërë në kundërshtim me ligjin. Më pas Ministria e Arsimit ia mori kompetencat kryetarit të Komunës për shkarkimin dhe emërimin e drejtorit në këtë gjimnaz, me çka Lalla u rikthye në punë si drejtoreshë e kësaj shkolle. Ndërkaq, në muajin korrik Ministria ia mori ingerencat Komunës së Tetovës për gjimnazin jo vetëm për emërim dhe shkarkim, por edhe për punët e përgjithshme.