U përmbyll me sukses edicioni i parë i “Javës së Muraleve Arbëreshe”
Në Pallagorio të Italisë, i njohur edhe si Puheriu në traditën arbëreshe, u përmbyll me sukses edicioni i parë i manifestimit “Java e Muraleve Arbëreshe-Settimana dei Murales Arbëreshë”, shkruan Portalb.mk.
Nga 3 deri më 9 qershor, ky vend arbëresh në provincën e Krotonës u shndërrua në një galeri arti në qiell të hapur, duke bashkuar artistë, studentë, profesorë dhe përfaqësues institucionalë nga Italia dhe Kosova.
Manifestimi u organizua nga shoqata Fili Meridiani APS, në bashkëpunim me Mural Fest Kosova dhe Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, nën patronazhin e Komunës së Ferizajt.
Gjatë një jave, artistët Argjenda Azimi, Elba Gashi, Gentrit Osmani, Reema Salihu dhe Prof. Dr. Lebibe Topalli realizuan murale të reja, të cilat pasqyrojnë historinë, kujtesën dhe identitetin arbëresh, si dhe lidhjet kulturore mes Arbërisë dhe Ballkanit.

Pjesë e rëndësishme e manifestimit ishte edhe delegacioni i Universitetit të Ferizajt, i udhëhequr nga rektori Prof. Dr. Agron Bajraktari. Prania e tyre u vlerësua si një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe akademik mes komuniteteve arbëreshe dhe Kosovës.
Në kuadër të programit u mbajtën edhe punëtori për fëmijë e të rinj, ekspozita, aktivitete muzikore dhe tryeza diskutimi për rolin e artit në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Organizatorët theksuan se ky edicion nuk është fundi i një projekti, por fillimi i një rrugëtimi të ri. Synimi është që Java e Muraleve Arbëreshe të kthehet në një ngjarje të përvitshme, e cila do të lidhë edhe më shumë komunitetet arbëreshe me Kosovën dhe rajonin.
