“Godit në sport, jo ndaj bashkëmoshatarëve”, në Shkup u zhvillua aksion kushtuar uljes së dhunës mes bashkëmoshatarëve
Si pjesë e aksionit Godit në sport, jo bashkëmoshatarët”, kushtuar reduktimit të dhunës nga bashkëmoshatarët, Qendra për Arte Bashkëkohore ka vendosur dhjetëra thasë boksi në vende të frekuentuara dhe në kënde lojërash sportive të lagjeve në të gjithë Shkupin, në vende ku të rinjtë e kalojnë më shpesh kohën e tyre të lirë, transmeton Portalb.mk.
Të frymëzuar nga rastet gjithnjë e më të shpeshta të dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe pasojat shqetësuese që ato lënë tek të rinjtë, si dhe nga zemërimi dhe frustrimet e paartikuluara që të rinjtë gjithnjë e më shpesh i drejtojnë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre, Qendra për Arte Bashkëkohore realizoi aksionin me qëllim që të ofrohet mesazh dhe zgjedhje ndryshe.
“Në vend të dhunës, fyerjeve dhe përleshjeve fizike, duam t’i nxisim të rinjtë që energjinë e tyre ta drejtojnë drejt sportit, kreativitetit dhe aktiviteteve të tjera pozitive që kontribuojnë në zhvillimin personal dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të aksionit janë vendosur rreth dhjetë thasë boksi në lokacione të frekuentuara dhe në fusha sportive lagjesh nëpër Shkup, vende ku të rinjtë zakonisht e kalojnë kohën e tyre të lirë. Në thasët janë shkruar mesazhe si: “Godite thesin, jo njeriun”, “Lëre goditjen këtu” dhe “Për të goditur – thesi, për njerëzit – respekti”, me të cilat synohet të nxitet reflektimi mbi pasojat e dhunës dhe të inkurajohen të rinjtë që energjinë e tyre ta drejtojnë drejt sportit, kreativitetit dhe aktiviteteve të tjera pozitive.
“Jemi të vetëdijshëm se dhjetëra thasë boksi nuk mund ta zgjidhin problemin e dhunës mes bashkëmoshatarëve, por besojmë se mund ta tërheqin vëmendjen ndaj tij, që të mos harrojmë se ekziston dhe se është rreth nesh, si dhe të nxisin një debat më të gjerë shoqëror. Me këtë aksion duam t’i inkurajojmë të rinjtë, prindërit, institucionet arsimore, pushtetin lokal dhe institucionet shtetërore që t’i kushtojnë më shumë vëmendje këtij problemi dhe së bashku të krijojnë më shumë mundësi për sport, kulturë, kreativitet dhe kalim cilësor të kohës së lirë si alternativë ndaj dhunës tek të rinjtë”, thonë nga QAB.
Në kushte kur dhuna mes bashkëmoshatarëve po bëhet një dukuri gjithnjë e më e shpeshtë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa incidente të shumta gjatë muajve të fundit e kanë shqetësuar opinionin publik, iniciativa të tilla synojnë të kujtojnë se dhuna nuk është një pjesë e pashmangshme e rritjes dhe se çdo shoqëri ka detyrimin të krijojë kushte në të cilat të rinjtë do të mund të zhvillohen pa frikë, presione dhe agresion.
Shqetësim shtesë paraqet fakti se me fillimin e pushimeve verore, të rinjtë do të kenë më shumë kohë të lirë dhe më pak mbikëqyrje, gjë që mund të kontribuojë në rritjen e formave të ndryshme të dhunës.
Megjithëse fokusi kryesor i aksionit është dhuna mes bashkëmoshatarëve, ai dërgon një mesazh edhe kundër të gjitha formave të tjera të dhunës në shoqëri, përfshirë dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave. Besojmë se çdo goditje që nuk përfundon mbi një qenie tjetër njerëzore është një hap drejt një komuniteti më të sigurt dhe më human.
Sporti, kultura dhe kreativiteti nuk janë vetëm hobi – ato janë mjete përmes të cilave të rinjtë mund të ndërtojnë vetëbesim, respekt dhe modele të shëndetshme sjelljeje.
