U parandalua transporti i drogës në vlerë prej 200 mijë euro në kufirin RMV- Greqi

Policia e Maqedonisë së Veriut dhe e Greqisë në një aksion të përbashkët parandaluan transportimin e drogës në kufi, shuma e të cilës kap vlerë totale prej 200 mijë euro, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Brendshme e RMV-së njoftoi se mbrëmë pak para mesnate nga punonjësit e policisë kufitare nga Qendra Rajonale Jugore, në afërsi të vendit të quajtur Vrshnik Bara, pranë vijës kufitare me Republikën e Greqisë, janë vërejtur dy persona të cilët kanë hedhur dy thasë nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes rrethojës me tela në territorin grek, dhe më pas kanë kaluar vetë vijën kufitare.

“Për shkak të dyshimit se marijuana po transportohej në thasë, Qendra Rajonale Jugore në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale – Seksioni për Trafikun e Paligjshëm të Drogës, Armëve dhe Lëndëve të Rrezikshme, Shërbimi i Drogës me seli në Kilkiz dhe Policia Kufitare Greke u u njoftua dhe si pasojë nga veprimet e përbashkëta dhe të koordinuara të punonjësve të policisë nga të dy vendet në një kohë të shkurtër u gjetën dy thasët me rreth 40 kilogramë marijuanë dhe pak më vonë u privuan nga liria V.H.(36) dhe E.J.(52), të dy shtetas të Republikës së Shqipërisë. Të dy personat janë ndaluar nga policia greke për procedime të mëtejshme dhe ndaj tyre do të ngrihen kallëzimet përkatëse”, informoi MPB.

Ky është aksioni i dytë i tillë i përbashkët që nga fillimi i gushtit mes dy forcave policore, ndërsa në të parën u parandalua transporti i 40 kilogramëve marijuanë, si rezultat i informacioneve të shkëmbyera midis policive të dy vendeve.

Siç njoftoi Suzana Pranjiq Talevska nga MPB-ja, në aksionin e parë në territorin e Republikës së Greqisë është privuar nga liria shtetasit grek J.S., te i cili është gjetur marihuana.