U ngritën aktakuzat për grabitësit e nipit të Lube Boshkovski, dyshohet se është rrëmbyer për heroinë të papaguar

Prokuroria Themelore Publike (PTHP) e RMV-së, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave për rrëmbimin e Samoil Kostadinovskit, nipit të liderit të “Të Bashkuar për Maqedoninë”,”, Lube Boshkovski. Më tre mars, në rrugën “Hristo Tatarçev”, i akuzuari i parë, së bashku me një person që gjendet në arrati dhe persona të tjerë të panjohur, e kanë rrëmbyer Kostadinovskin duke e kërcënuar me jetë. Qëllimi i tyre ka qenë që ta detyrojnë atë të paguajë narkotikun e vjedhur, heroinë në sasi prej katër kilogramësh, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike, transmeton Portalb.mk

Prokuroria Themelore Publike pas procedurës hetimore ka dorëzuar aktakuzë kundër dy personave, njëri prej të cilëve është i akuzuar për veprën penale “Rrëmbim” të Kodit Penal, ndërsa i dyti është akuzuar për ndihmë në ekzekutimin e krimit. Për të njëjtën vepër është pezulluar përkohësisht procedura e një personi tjetër të arratisur deri në gjetjen dhe arrestimin e tij”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.

Personi i dytë i përfshirë në aktakuzë me qëllim se u ka ndihmuar, duke u siguruar mjete për kryerjen e veprës penale, veturë “Volvo V40” me regjistrim të Shkupit, njoftoi Prokuroria Publike.

“Me automjetin e të akuzuarit e kanë dërguar të dëmtuarin në një vend të panjohur pa dëshirën e tij. Në ditët e ardhme, përmes aplikacioneve anonime celulare, pjesëtarët e familjes dhe persona të afërt me të dëmtuarin kanë marrë mesazhe duke ua kërkuar atyre pagesën e mjeteve për narkotikë të supozuar të marrë por të papaguar. Me qëllim që të mbulohen shenjat, vetura me të cilën është kryer krimi dhe në të cilën për herë të fundit është parë i dëmtuari, është djegur në Draçevë”, shkruan në deklaratën e prokurorisë.

Prokurori publik, me kërkesë të prokurorisë propozoi vazhdimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin e parë, ndërsa për ndihmësin masat e përcaktuara më pare të ndryshohen në masa të burgimit shtëpiak.

Rikujtojmë se Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe lideri i Të bashkuar për Maqedoninë, Lube Boshkoski në rastin “Fushata” u ndoq penalisht për veprat penale keqpërdorim i mjeteve për fushatë zgjedhore dhe keqpërdorim të pozitës dhe pushtetit zyrtar, në lidhje me fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit 2011.

Për rastin ai u arrestua një ditë pas zgjedhjeve para lokalit “Vodenica” në lagjen Kapishtec të Shkupit. Dhe gjatë arrestimit të tij  sipas Prokurorisë Speciale, ish-drejtori i DSK-së, Mijallkov, ka urdhëruar njësitin special “Alfa” që gjatë aktit të arrestimit të përdorë dhunë fizike dhe psiqike, nga ku prokuroria e hapi rastin “Tortura”.