Vuçiq tha se serbët “nuk do t’i dorëzojnë” ndërtesat në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 8 shtator se nuk ka kurrfarë diskutimesh lidhur me atë që serbët në veri të Kosovës “t’ua lëshojnë ndërtesat dhe pronat atyre të cilëve ato nuk iu përkisnin kurrë”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai i bëri këto deklarata në ditën kur skadon afati për largimin e katër institucioneve të Serbisë nga një ndërtesë komunale në Mitrovicë të Veriut.

“Ne kemi treguar vullnet të mirë, kemi biseduar me përfaqësuesit e serbëve që të pranojnë dialogun për mbajtjen e zgjedhjeve në veri”, tha Vuçiq.

Ai tha se të mërkurën ose të enjten e javës së ardhshme, delegacioni i Serbisë do të shkojë në Bruksel për bisedime me delegacionin e Kosovës, takim në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Është obligim për ne. Ne gjithmonë e kemi konsideruar dialogun si mënyrën e vetme për të zgjidhur problemet, dhe problemet vetëm po akumulohen”, tha Vuçiq.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se deri më 8 shtator, katër institucione serbe duhet të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë argumentuar se i përket komunës së Mitrovicës së Veriut.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.

Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.

Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.

Zyra për Kosovën, por edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ditëve të fundit janë shprehur kundër largimit të institucioneve serbe nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut.

Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë argumentuar se objekti u përket atyre dhe se i njëjti duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Megjithatë, në një deklarim të mëhershëm për REL-in, ato nuk specifikuan për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.

Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Kjo komunë, së bashku me tri komuna të tjera në veri, që nga prilli kanë kryetarë shqiptarë, të cilët u zgjodhën në votimet e bojkotuara nga popullata serbe.

Çfarë ka ndodhur?

Më 26 maj, serbët e Kosovës protestuan kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë që fituan zgjedhjet lokale të 23 prillit në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, ku janë të përqendruar serbët në veri të vendit.

Ka pasur një përplasje mes policisë së Kosovës, e cila është dërguar në rajon për të mbrojtur kryetarët shqiptarë, dhe serbëve të Kosovës.

Serbia arrestoi tre persona, të cilët u konstatua se ishin pjesëtarë të policisë së Kosovës, në rajonin kufitar të dy vendeve me arsyetimin se ata “po planifikonin një aksion në Serbi” më 14 qershor, ndërsa Kosova pretendoi se policët ishin “rrëmbyer” nga Serbia. Serbia liroi policët e Kosovës më 26 qershor.

Derisa policia e Kosovës ka ndaluar rreth 10 serbë të Kosovës për arsye të ndryshme, Serbia ka kërkuar që këta persona të lirohen sa më shpejt.

Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, batalioni komando turk, i përbërë nga afërsisht 500 ushtarë, u caktua me kërkesë të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s dhe u ngarkua me sigurimin e komunave në veri të Kosovës.

Arsyeja kryesore e tensionit mes dy vendeve, të cilat vijnë ballë për ballë në intervale të rregullta, është se Serbia e sheh Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, si territor të saj.

Në kuadër të Procesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, i nisur në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, po bëhen përpjekje për të gjetur një rrugë të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve dhe përfundimisht për njohjen e dy vendeve.