U largua nga gara një prej kandidatëve për president në Turqi

Muharrem Ince, një nga katër kandidatët për zgjedhjet presidenciale në Turqi, është tërhequr nga gara, tre ditë përpara se njerëzit t’i drejtohen kutive të votimit, raporton EN.  Ince kishte qenë nën presion gjatë fushatës nga akuzat për ndarjen e votave të opozitës, kur gara me presidentin Erdogan është tepër e ngushtë.

“Po e tërheq kandidaturën time”, u tha ai gazetarëve.

Një nga arsyet e dhëna prej Ince për tërheqjen nga gara ishte publikimi i një fotografie nudo, ku pretendohej se ai shfaqej në shtrat me një grua.

Ai u ankua se për 45 ditë ndaj karakterit të tij ishte shpifur dhe se autoritetet turke nuk kishin arritur t’i mbronin reputacionin.

“Fatura të rreme, video të rreme, foto… ata morën një video nga një uebsajt izraelit pornografik dhe shtuan fytyrën time atje. Fatkeqësisht, disa njerëz në Turqi i ndanë ato për hir të të qënit në të ashtuquajturën opozitë”, tha ai.

Por ai theksoi gjithashtu se nuk dëshiron të fajësohet nga aleanca e partive opozitare nëse humbin votën presidenciale.

Vendimi i tërheqjes së Ince tre ditë përpara zgjedhjeve rrit mundësitë rivalit më të madh të Presidentit Erdogan, Kemal Kilicdaroglu, që të dalë fitues në zgjedhjet presidenciale në Turqi.