U arrestuan pesë persona, assesi të ndalen alarmet e rrejshme për bomba në shkollat e Tetovës (Video)
Gjimnazi i Tetovës ‘Kiril Pejçinoviq’ sot për herë të 15-të mori alarm të rremë për bombë. Nga ana tjetër Ministria e Brendshme njoftoi se janë privuar nga liria pesë persona, nga të cilët katër janë të mitur, për lajmërimet e rreme për bomba në shkollat e Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Nxënësit e kësaj shkolle si pasojë e alarmeve të rrejshme për bomba kanë humbur mbi 60 orë mësim.
Drejtori i shkollës, Jeton Kamberi thotë se përpiqen të gjejnë zgjidhje për orët e humbura, me fokus te maturantët.
“Në bisedë me profesorët e viteve të katërta, është biseduar që ata të japin maksimumin përveç orëve që i kanë plotësuese në bazë të planprogramit vjetor, marrëveshje kemi bërë që edhe ata të organizojnë orë të këtilla që të përpiqen te maturantët të arrijnë atë që është e paraparë me planprogram”, tha Kamberi.
Drejtori shtoi se do të bëjnë kërkesë zyrtare te Sektori i arsimit në komunën e Tetovës dhe Ministria e Arsimit, që të ketë lehtësime për maturantët në testimet eksterne, sepse janë humbur shumë orë.
Lidhur me këtë problem, Nazmi Dauti nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thotë se ende nuk kanë vendim final.
“Ne jemi në koordinim me Ministrinë për Arsim dhe Shkencë sepse nuk është rasti vetëm me Tetovën por ka pasur edhe në disa qytete tjera apo qytetin e Shkupit, por do ketë vendim brenda kësaj periudhe dhe do informohen mediat”, tha Dauti.
Ministria e Punëve të Brendshme informoi se pas ndërmarrjes së masave dhe veprimeve operative, nëpunës policorë nga SPB Tetovë sot (26.03.2026) privuan nga liria tre të mitur të përfshirë në rastet e lajmërimeve të rreme për bomba në disa shkolla fillore dhe të mesme në Tetovë.
“Në periudhën e mëparshme, u privuan nga liria dy persona të tjerë, nga të cilët njëri i mitur, po ashtu të përfshirë në rastet e lajmërimeve të rreme për bomba. Ndaj të gjithë pesë personave të përfshirë do të parashtrohen parashtresa përkatëse në Prokurorinë kompetente, në përputhje me Kodin Penal”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
MPB u bën apel prindërve që të ndërmarrin urgjentisht masat e duhura të kontrollit ndaj fëmijëve të tyre.
“SPB Tetovë nuk do të tolerojë asnjëlloj tentimi për të rrezikuar sigurinë e nxënësve dhe qytetarëve. Në raste të veprimeve të këtilla në të ardhmen, do të merren masat më të rrepta ligjore kundër kryerësve, por edhe kundër prindërve për mospërfilljen e obligimit të mbikëqyrjes”, tha Rexhepi.
Nga Policia njoftuan se do të inicohen masa pedagogjike dhe sociale në bashkëpunim të ngushtë me institucionet arsimore dhe Qendrat e Punës Sociale.
Kujtojmë se së fundmi policia arrestoi një 18 vjeçar si të dyshuar për alarmet e rreme të bombave, i cili ishte nxënës i Gjimnazit ‘Kiril Pejçinoviq’.
Nga viti 2025 e këndej janë regjistruar më shumë se 320 raste të paraqitjeve të rreme për bomba. Kërcënime nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme. Kërcënimet me bomba kanë qenë gjithashtu të përhapura edhe në rajon.
- LEXO: Policia e arrestoi një 18 vjeçar nga Pallatica e Tetovës, i dyshuar për dërgimin e alarmeve të rreme për bomba në institucionet arsimore
- LEXO: Panik në shkolla: Qindra kërcënime të rreme me bomba, MPB-ja nuk e di ende kush fshihet pas shumicës së tyre
- LEXO: Përsëri alarme të rreme për bomba në shkollat e Tetovës: Frikë, panik dhe humbje mësimi
- LEXO: Përsëri alarm bombash në shkollat e Tetovës dhe Shkupit, MPB-ja assesi t’i identifikojë kërcënuesit
- LEXO: Ministria e Brendshme nuk i ka zbardhur ende alarmet e rreme për bomba në Gjimnazin e Tetovës