U anulua seanca gjyqësore për rastin “Besa Trans”, munguan të akuzuarit

Për shkak të mungesës të akuzuarve, u anulua seanca gjyqësore e planifikuar për sot në lidhje me rastin “Besa Trans”, në të cilin kompania si person juridik dhe pronari i kompanisë Bekim Haxhiu akuzohen për falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit i cili në orët e para të 23 nëntorit të vitit 2021, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë është aksidentuar dhe më pas është djegur. Si pasojë kanë humbur jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë janë lënduar, njofton Portalb.mk.

Avokati Asmir Alispahiq, njoftoi sot para fjykatës se pronari i kompanisë “Besa Trans”, Bekim Haxhiu nuk mundet të arrijë në seancë për shkak se ndodhet në pikën kufitare.

“Për momentin ndodhet në pikën kufitare dhe nuk mundet fizikisht të arrij në gjykim. Angazhimi i tij është në lidhje me koordinimin e mbledhjeve për ngjarjet e vitit të ri në Turqi”, tha Alispahiq.

Para gjykatës, avokati dorëzoi vërtetim mjekësor edhe për mungesën e Hajredin Muçës, përfaqësues i personit juridik “Besa Trans”.

Seanca e radhës u caktua për më 25 dhjetor, prej orës 13 ku pritet që të vazhdojë me marrjen në pyetje të pronarit të kompanisë Bekim Haxhiu, të cilin e ka propozuar vetë avokati i Haxhiut, Asmir Alispahiq.

Gjykatësi dhe prokurori, sot paralajmëruan se ata nuk kanë çfarë ta pyesin Haxhiun, kështu që ai, do të duhet t’u përgjigjet vetëm pyetjeve të avokatit të tij.

Në seancën e kaluar, para Gjykatës, dha deklaratë dëshmitari i propozuar nga mbrojtja, i cili paraprakisht ka punuar si shofer në këtë kompani.

Për çfarë akuzohet “Besa Trans” dhe pronari i saj?

Autobusi i cili është aksidentuar nuk ka pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar, por gjatë kalimit të kufirit e ka përdorur certifikatën e një autobusi tjetër, ndërkaq Dogana e cila është dashur ta kontrollojë – e ka lëshuar. Prokuroria akuzon pronarin dhe “Besa Transin” se certifikata është falsifikuar, ndërkaq teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit të Portalb.mk njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i Prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.

Gjithçka në lidhje me rastin, lexojeni dosjen e përgatitur nga Portalb.mk: Aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona