RMV, sot fillon tarifa e lirë ditore e rrymës për rreth 200 mijë familje, të tjerët do të presin

Prej sot, 1 dhjetor, do të fillojë tarifa e lirë e rrymës në periudhën prej orës 13 deri në 15, njoftoi ditë më parë Komisioni Rregullator i Energjetikës. Prej sot, amvisëritë do të ketë tarifë të lirë të rrymës nga ora 13 deri në 15 dhe nga ora 22 deri në 7 çdo ditë, si dhe të dielën tërë ditën. Megjithatë, fillimisht do të mbulohen rreth 200 mijë familje, ndërsa pjesa tjetër e familjeve do të mbulohen nga tarifa e lirë ditore gjatë dhjetorit, pasi do të rregullohen orëmatësit e energjisë elektrike, transmeton Portalb.mk.

“Me vendosjen e tarifës së lirë ditore amvisëritë do të kenë në dispozicion gjithësej 11 orë energji elektrike të lirë gjatë 24 orëve nga e hëna deri të premten dhe 24 orë të dielen. KRRE pas analizave të bëra, vlerësoi se janë krijuar kushte që amvisëritë të shfrytëzojnë orë shtesë në të cilat kompensimi për energjinë elektrike të harxhuar do të përllogaritet sipas tarifës së lirë. Të dhënat tregojnë se, cikli investues në burimet ripërtrirëse të energjisë ka rritur prodhimin e energjisë elektrike me çka ndikoi në mënyrë direkte ndaj uljes së çmimit gjatë ditës”, tha kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski

Aktet nënligjore që i miratoi KRRE përcaktojnë edhe afate të reja sipas të cilave kompanitë energjietike nga viti i ardhshëm do të duhet t’i dorëzojnë kërkesat e tyre më së voni deri më 30 shtator, ndërsa vendimet për tarifat e reja do të kumtohen më së voni deri më 30 nëntor dhe do të jenë në fuqi nga viti i ardhshëm.

Kujtojmë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut ditët në vijim do të njoftohen me çmimin e ri të energjisë elektrike për muajt e ardhshëm, pasi EMV ka vendosur të rrisë çmimin.

“Nën monitorim të plotë të Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe në përputhje me obligimet ligjore dhe metodologjinë paraprakisht të përcaktuar, në periudhën në vijim EVN Home do ta llogarisë çmimin e energjisë elektrike sipas parametrave hyrëse të paracaktuara”, paralajmëroi EVN-ja.

EVN Home sqaroi që çmimi i energjisë elektrike që është blerë nga SHA EMV-ja është 57 euro për megavat-orë, apo 7.5 përqind më shtrenjtë se çmimi i periudhën qershor-dhjetor.