Tri javë pas vdekjes, Memet Kamber do të varroset sot

Sot bëhet varrimi i Memet Kamberit, i cili ndërroi jetë më 24 maj të këtij viti, për shkak të komplikimeve të rënda të shkaktuara nga diabeti i padiagnostikuar – djali që nuk kishte kartë shëndetësore apo letërnjoftim, dhe me kartën e dikujt tjetër shkoi në spital kur tashmë ishte tepër vonë, transmeton Portalb.mk.

Trupi i tij i pajetë qëndroi në morgun e varrezave të Butelit në Shkup për tre javë, për shkak të pengesave burokratike për arsye të mungesës së dokumenteve. Shërbimet administrative punuan për problemin me të cilin u desh të vërtetohej se cilët janë prindërit biologjikë të Memetit, në mënyrë që sipas ligjit dhe provës nga analiza e ADN-së, të regjistroheshin në librin amzë.

Për këtë rast raportoi Instituti Romalitiko dhe anuloi protestën e paralajmëruar para Kuvendit.

“Njoftojmë opinionin se trupi i të riut Memet Kamber do t’u dorëzohet sot familjarëve të tij. Ju njoftojmë se protesta e paralajmëruar para Kuvendit nuk do të zhvillohet, sepse trupi do të dorëzohet. “Romalitiko do të vazhdojë ta avokojë me zë të lartë këtë çështje, të kërkojë ndryshimin e legjislacionit të nevojshëm dhe trajtimin konsekuent të këtyre personave nga të gjitha institucionet”, thanë nga  “Romalitiko”.

Organizata joqeveritare pret që deputetët e Kuvendit të shqyrtojnë ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në Ligjin për gjendjen civile, të kuptojnë urgjencën e zgjidhjes së çështjes së personave pa certifikatë lindjeje dhe të miratojnë më tej ndryshimet.