Kosovë, tre zyrtarë policorë dyshohet se janë kidnapuar nga serbët afër kufirit në veri

Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre zyrtarë kufitarë dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ky fshat gjendet në komunën e Leposaviqit.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia policore ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, kanë njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe nga kërkuar asistencë dhe drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.

“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.

Sveçla: Faktori ndërkombëtar të rrisë presionin ndaj Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.

“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”, shkroi ai në Facebook.

Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar “të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë, që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë, por edhe të ndalë provokimet e saj”.

Policia tha po ashtu se media të ndryshme serbe kanë raportuar se njëstië speciale serbe “kanë arrestuar zyrtarë të Policisë së Kosovës”.

Aktualisht, nuk ka asnjë informatë zyrtare për këtë çështje nga Beogradi zyrtar. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka paralajmëruar një konferencë të jashtëzakonshme për media në orën 16:00.

As Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, e as Agjencia serbe e Informacionit (BIA) nuk i janë përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.