Tri javë pas vdekjes së Memet Kamber, trupi ende nuk u është dorëzuar të afërmve për varrim

Tre javë pas vdekjes së Memet Kamber, trupi ende nuk u është dorëzuar familjarëve për një varrim të denjë, bëri të ditur sot Instituti për Kërkime dhe Analiza Politike “Romalitiko”, transmeton Portalb.mk.

“Romalitiko” u bën thirrje të gjithë palëve politike dhe administrative që deri të mërkurën të zgjidhin situatën dhe të sigurojnë një varrim të denjë për të ndjerin, në të kundërtën, siç thonë ata, më 16 qershor do të organizohet protestë para Kuvendit – institucion nga i cili pritet të sjellë të gjitha ndryshimet e nevojshme në ligj, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Memet Kamber, i lindur në vitin 2004, ka ndërruar jetë më 24 maj të këtij viti, për shkak të komplikimeve të rënda të shkaktuara nga diabeti i padiagnostikuar. Memeti nuk kishte kartë shëndeti dhe letërnjoftim dhe kur shkoi në spital me kartën e dikujt tjetër, tashmë ishte vonë.

“Memeti si i varfër nuk kishte letërnjoftim sepse nuk deklaronte dot adresë, sepse banonte në një banesë të ndërtuar pa leje”, tha së fundmi Romalitiko, duke iu referuar problemeve që mund të lindin nga kjo situatë.

Instituti shton se realizimi i kujdesit shëndetësor është e drejtë e njeriut, ndërsa pamundësia e qasjes në kujdes shëndetësor është shkelje e të drejtave të njeriut.

“Apelojmë që menjëherë të krijohet grup punues në Qeveri që do të punojë për zgjidhjet dhe miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve të nevojshme për qasje në letërnjoftime dhe dokumente tjera”, thuhet në njoftim.