Tre migrantë të paligjshëm nga Sudani u gjetën në një kamion mallrash në Shkup

Doganierët e Zyrës Doganore Shkupi 1 pranë Njësisë doganore të Shkupit gjetën tre migrantë të paligjshëm nga Sudani gjatë një kontrolli të detajuar të mallrave të deklaruara për zhdoganim importi, transmeton Portalb.mk.

Mallrat, me origjinë nga Kina, u ngarkuan në portin e Selanikut, pas së cilës kamioni u vulos me një vulë greke.

“Tre individët, shtetas të Sudanit, e grisën kabllon në pjesën e përparme të ngarkesës së kamionit dhe u fshehën midis kutive”, tha Drejtoria e Doganave.

Ky është rasti i katërt i migrantëve të paligjshëm të zbuluar në tre muajt e fundit. Migrantët janë dorëzuar në Ministrinë për Punë të Brendshme.