BDI dhe VLEN nuk i kursyen “kunjat” ndaj njëra-tjetrës as në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit

Derisa sot Maqedonia e Veriut e shënon 25 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur disamujor në vend në vitin 2001, dy blloqet politike shqiptare, BDI dhe VLEN edhe sot kanë vijuar me akuza në adresë të njëra tjetrës, shkruan Portalb.mk.

Duke përmendur të arriturat e dala nga kjo marrëveshje, BDI-ja opozitare kujton se pikërisht në 25-vjetorin e saj, në vend që këto parime të konsolidohen më tej, të njëjtat po zhbëhen, njëra pas tjetrës.

“Gjykata Kushtetuese, e shndërruar gjithnjë e më shumë në një institucion parapolitik, përmes vendimeve të saj jokushtetuese po rrënon shtylla të rëndësishme të rendit të krijuar pas vitit 2001. Në anën tjetër, ajo që ende nuk është shfuqizuar dhe vazhdon të jetë në fuqi, shpërfillet ose nuk zbatohet nga institucionet. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat u godit me shfuqizimin e mekanizmave që garantonin përfaqësimin etnik; përdorimi i gjuhës shqipe është vënë nën sulm dhe dispozitat ligjore në fuqi nuk zbatohen; legjitimiteti politik i shqiptarëve u nëpërkëmb; përllogaritja e popullsisë së përgjithshme nuk pasqyron realitetin e regjistrimit të vitit 2021; ndërsa emrat e rrugëve dhe shesheve, të vendosur para më shumë se dy dekadash si shprehje e realitetit shumëetnik të vendit, po shfuqizohen dhe po tentohet të zëvendësohen me emërtime nga periudha e monizmit, që nuk i bëjnë nder asnjë komuniteti dhe as së ardhmes demokratike të vendit”, thanë nga BDI.

Nga ana tjetër, VLEN-i nga pushteti thotë se edhe këtë vit, për 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, BDI po i mbledh në aheng privat kolltukofagët e vet, sipas tyre, të gjithë me karriera shumëvjeçare, të ndërtuara në emër të Marrëveshjes së Ohrit dhe mbi kurrizin e shqiptarëve.

“Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë private e BDI-së. Ajo është rezultat i sakrificës së një gjenerate të tërë. Por ajo që nisi si akt i ndërgjegjes kombëtare, BDI-ja e zhbëri, duke e kthyer në bankomat për pasurim personal. Aq e gjatë është lista e të korruptuarve të BDI-së që e përdorën Marrëveshjen e Ohrit për t’i mbushur xhepat, saqë edhe partneri ynë strategjik foli publikisht për “korrupsion endemik” dhe ua vuri vulën e korrupsionit pikërisht këtyre që sot rrahin gjoksin për “shqiptari”. Sado e dhimbshme të jetë, kjo është trashëgimia e pushtetit të tyre. Sopoti, Enciklopedia, “Shkupi 2014”, “Monstra”, “Lagjja e Trimave”, përgjimet masive, Almiri i vogël, “Durmo Turs”, “Besa Trans”, “Ballkani i Hapur”, spitali modular, kazinotë dhe lojërat e fatit, arratisjet nga drejtësia, ndihma për arratisjen e Nikolla Gruevskit, shpëtimi i Sasho Mijallkovit përmes Artan Grubit dhe Enver Bexhetit, si dhe shumë hajni e manipulime tjera”, thanë nga VLEN.

Maqedonia e Veriut sot e shënon 25 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur disamujor në vend në vitin 2001.

Pas pavarësisë së Maqedonisë nga ish-Jugosllavia në 1991, Kushtetuta e vendit përmbante kufizime për të drejtat e komuniteteve të tjera etnike, veçanërisht të shqiptarëve.

Kërkesat për arsim të lartë në gjuhën shqipe dhe përdorimin e flamurit kombëtar u shoqëruan me përplasje me autoritetet.

Në vitin 1994, shqiptarët themeluan universitetin e tyre, por ai u rrënua nga policia. Në përleshje humbi jetën një person dhe u plagosën shumë të tjerë.

Tre vjet më vonë, vendosja e flamujve shqiptarë në komunat e Gostivarit dhe Tetovës u shpall e paligjshme. Pas intervenimit policor pati viktima dhe arrestime.

Niskur nga këto ngjarje dhe të tjera,më 22 janar 2001 nisi konflikti i armatosur me sulmin ndaj stacionit policor në Tearcë, ku një polic humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën. Përgjegjësinë e mori UShtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Përleshjet u përhapën në pjesë të ndryshme të vendit dhe vazhduan gjatë muajve të pranverës.

Më 5 korrik u arrit një marrëveshje e përgjithshme armëpushimi, e ndërmjetësuar nga OSBE-ja dhe NATO-ja, por ajo u shkel disa herë. Në periudhën 22 janar–12 nëntor 2001, humbën jetën qindra persona nga të dyja palët, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u zhvendosën.

Pas rreth dy muajsh negociata në Ohër, Marrëveshja Kornizë u nënshkrua më 13 gusht 2001, nën patronazhin e presidentit të atëhershëm Boris Trajkovski dhe me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.

Marrëveshjen e nënshkruan Branko Cërvenkovski, Arben Xhaferi, Lubço Georgievski dhe Imer Imeri, ndërsa si garantues morën pjesë përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së, Francois Leotard dhe James Pardew.

Marrëveshja i dha fund konfliktit dhe vendosi bazat për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Ajo përfshiu përdorimin zyrtar të gjuhëve, decentralizimin, mosdiskriminimin, përfaqësimin e drejtë dhe mekanizma të veçantë për çështjet që lidhen me gjuhën, kulturën, arsimin dhe simbolet.

Në vitin 2018, Kuvendi miratoi Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa më 15 janar 2019 shqipja u bë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes.

Për zbatimin e Marrëveshjes, në vitin 2004 u themelua Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, i cili më vonë u shndërrua në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Sot, 25 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, në vend ende debatohet se e njëjta nuk është përmbushur në tërësi.