Transferimi i Veliajt në burgun e Fierit, Drejtoria e Burgjeve deklaroi se urdhri është sekret shtetëror
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas transferimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit, duke sqaruar se procedura është kryer në përputhje me kuadrin ligjor dhe se urdhri i transferimit është dokument i klasifikuar si “sekret shtetëror”, raporton Euronews.
Institucioni bën me dije gjithashtu se për transferimin e Veliajt është njoftuar edhe organi i prokurorisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
“Nisur nga spekulimet e shumta mediatike, vendosëm të bëjmë këtë njoftim të pazakontë për shtyp lidhur me procedura standarde të brendshme të punës.
Transferimi i shtetasit E.V. është kryer në kuadër të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë së fundmi për sigurinë dhe garantimin e mbarëvajtjes së institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Në vijim të transferimit të të paraburgosurit E.V. në IEVP Fier, janë zbatuar procedurat e pranimit të parashikuara në nenin 38 të ligjit nr. 81/2020, datë 25.6.2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe në nenin 15 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 06.04.2022, të Këshillit të Ministrave.
Në zbatim të nenit 15, pika 4, të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, më datë 28.10.2026, i paraburgosuri E.V. u vendos në seksionin e pranimit (observimit) dhe u trajtua korrektësisht dhe në përputhje me kuadrin ligjor, si për të gjitha rastet e tjera.
Më datë 29.10.2026, strukturat përgjegjëse të IEVP Fier kanë zhvilluar takim me të paraburgosurin E.V. në ambientet e sektorit të observimit. Gjatë takimit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet mbi qëndrimin në institucion. Në përfundim, komisioni i pranimit ka vijuar me sistemimin e tij të plotë, në përputhje me vlerësimin individual dhe procedurat përkatëse.
Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Shtojmë se në rastin e të paraburgosurit E.V., është kryer edhe njoftimi i organit të prokurorisë, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
Në mbështetje të nenit 78 të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe të neneve 106–108 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 6.4.2022, të Këshillit të Ministrave, urdhri i transferimit për çdo arsye të përligjur nxirret nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Vlerësimi dhe vendimmarrja për transferimin përfshihen në kompetencën dhe diskrecionin administrativ të Drejtorit të Përgjithshëm, si praktikë normale pune e ushtruar brenda kushteve dhe kritereve ligjore, mbi bazën e dokumentacionit të administruar.
Nga DPB, prej datës 16.10.2026 deri më datë 27.10.2026, janë kryer 24 (njëzet e katër) transferime brenda kuadrit ligjor.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon të marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, parandalimin e ngjarjeve dhe mbarëvajtjen e institucioneve, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të burgosur”, thuhet në njoftim.