Tre banesat e Mijallkovit në Vodno janë shitur në ankand për 332.376 euro

Driton Nebiu, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, ka bërë të ditur sot se tri banesat e konfiskuara të Sasho Mijalkovit janë shitur me ankand dhe paratë nga shitja, 332.376 euro janë kthyer në buxhetin e shtetit. Bëhet fjalë për shitjen në ankand të gjithsej tre banesave – në rrugën “Slavejko Arsov” prej 78 metrash katrorë, si dhe dy apartamente nga 73 metra katrorë dhe një garazh prej 30 metrash katrorë, transmeton Portalb.mk.

“Ka pasur ofertë, procedura ka shkuar pa probleme dhe shitja ka përfunduar me sukses. Me këtë në buxhetin e shtetit do të derdhen 332.376 euro. Po vazhdojmë, së shpejti do të publikojmë shpalljet për shitje dhe për pasuri të tjera të paluajtshme për të cilat kemi vendime gjyqësore të vlefshme”, tha Nebiu.

Ai tha se qëllimi i Agjencisë është që të gjitha pasuritë e paluajtshme të konfiskuara të vendosen në ankand publik dhe më pas ato të kthehen te qytetarët, përkatësisht në buxhetin e shtetit.

“Ligji thotë qartë se çdo qytetar, person fizik apo juridik, ka të drejtë të marrë pjesë në tenderin publik, përveç neve, të punësuarve në Agjenci dhe të dënuarit. Çdokush tjetër ka të drejtë të marrë pjesë në tenderin publik. Inkurajoj në çdo ankand të radhës, që tani e tutje qytetarët të aplikojnë lirshëm sepse ligji është mbi të gjithë ne. Ne e respektojmë dhe do të vazhdojmë pa pengesë apo ndërprerje në menaxhimin tonë të mëtejshëm të Agjencisë së Pasurive të Konfiskuara”, tha drejtori.

Ish-drejtori i DSK-së u deklarua fajtor për rastin “Perandoria” dhe u pajtua me Prokurorinë, pas së cilës shteti i konfiskoi pasurinë me vlerë 15.000.000 euro.

Më 6 shtator, Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Paluajtshme shiti në ankand dy banesat në Ohër dhe tokën ndërtimore të pandërtuar në Radnjë për 244 mijë euro në pronësi të ish-drejtorit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit Sasho Mijalkov.

Një apartament në Ohër i Mijalkovit ishte 46 metra katrorë (plus 19 metra katror dhoma ndihmëse) dhe kishte çmim fillestar prej 94.000 euro. Pjesa tjetër (58 metra katrorë dhe dhoma ndihmëse 56 metra katrorë) është shitur për 146 mijë euro. Bëhet fjalë për dy apartamente në të njëjtën ndërtesë. Në shitje është nxjerrë edhe toka ndërtimore e pandërtuar në Radnjë, e cila po ashtu ishte në pronësi të Mijalkovit.