Nxënësja u godit nga vetura në rrugën Industriale afër shkollës në Tetovë

Një vajzë e mitur është goditur nga vetura sot në rrugën “Industriale” në Tetovë afër shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, vajza ka pësuar lëndime trupore, raporton Portalb.mk.

“Sot (27-nëntor) në ora 13:15 në SPB- Tetovë është raportuar se në rrugën “Vidoja Smilevski-Bato”, afër shkollës fillore në Tetovë, automjeti i pasagjerëve “Volkswagen Golf 5” me targa të Shkupit, i drejtuar nga. 22- vjeçarja A.A. nga Shkupi, ka goditur një vajzë të mitur (këmbësore). Në aksident e mitura ka pësuar lëndime trupore të cilat janë konstatuar në Spitalin klinik të Tetovës. Një ekip nga SPB- Tetovë ka kryer këqyrje të vendit të aksidentit”, informoi Sektori për Punë të Brendshme Tetovë.

Nga Spitali i Tetovës për TV 21 thanë se vajza është e shtrirë në qendrën urgjente.

“E aksidentuara është rreth moshës 15 vjeçare. Në spital ka ardhur në gjendje të vetëdijshme, e dezorientuar, e plogësht, ka ardhur me përcjellje, është shtrirë në qendrën urgjente, është në observim, është vendosur në monitorim. Janë thirrur në konsulta mjekët të reparteve të tjera për ekzaminim të pacientes”, thanë nga Spitali i Tetovës.

Kujtojmë se kjo rrugë vazhdon të mbetet ndër më të rrezikshmet ku aksidentet ndodhin shpesh, ku ka pasur edhe viktima si dhe protesta që të ndërmerren më shumë masa sigurie nga autoritetet.

Përgjatë këtij bulevardi gjendet shkolla fillore “Kirili dhe Metodi”, Xhamia e Rinisë dhe së shpejti pritet të hapet edhe çerdhja afër shkollësKomuna e Tetovës në vitin 2022 në këtë aks rrugor vendosi pengesat vibruese, vendet për kalimin e këmbësorëve dhe semaforin nën shkollën fillore. Megjithatë vetëm kjo masë nuk mjafton.

Kujtojmë që për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë në komunikacion, në shkurt të vitit 2023 Komuna e Tetovës deklaroi se “në program për vitin 2023 është paraparë me projekt ndarja fizike midis dy drejtimeve për bulevardit V.S. Bato me parmakë”. Megjithatë, në terren ende nuk ka punime konkrete. Nga Komuna e Tetovës nuk tregojnë se kur do bëhet kjo. Ndërkaq, për të ulur rrezikun e qarkullimit në këtë pjesë, Komuna e Tetovës paralajmëroi dy rrethrrotullime të reja.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë nuk kanë të dhëna të mbledhura për atë se sa aksidente ka pasur në tre vitet e fundit në rrugën industriale, por theksojnë se në qytet për tre vitet e fundit ka pasur mbi një mijë aksidente, ku përfshihen edhe aksidentet në këtë rrugë.