Tre anëtarët e familjes Pacolli u gjetën pa shenja jete në veturën e nxjerrë nga lumi Lepenc

Pas kërkimeve 24 orëshe, nga lumi “Lepenc” u nxorën tre trupat e pajetë të familjes Pacolli nga Kosova së bashku me veturën e aksidentuar. Këtë e konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.

“Zyrtarët policorë të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” kanë gjetur të vdekur tre personat të cilët ishin kërkuar pas aksidentit të djeshëm të trafikut në rrugën Shkup-Bllacë në lumin Lepenec. Është gjetur edhe automjeti BMW me të cilin janë transportuar”, informoi MPB.

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot ka vazhduar këqyrjen e vendit të aksidentit të rëndë trafiku që ndodhi dje në rrugën Shkup-Bllacë.

“Pas nxjerrjes së veturës BMW me targa të Kosovës dhe tre trupave të pasagjerëve të ndjerë nga ujërat e lumit Lepenec, do të urdhërohet autopsi, ndërsa prokurori publik do të koordinojë të gjitha veprimet për sigurimin e provave për zbardhjen e ngjarjes”, informoi Prokuroria.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, automjeti ka përfunduar në Lepenec pasi vetura e tipit “Volkswagen Turan” me targa të Maqedonisë së Veriut tejkaloi një kolonë veturash në rrugën nga Shkupi  për në pikën kufitare “Bllacë”. Në momentin kur ka arritur paralelisht me një veturë “BMW” me targa kosovare, e cila ka qenë duke lëvizur në të njëjtën kolonë, dy automjetet janë afruar dhe janë përplasur, pas së cilës vetura kosovare me katër pasagjerë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Lepenec.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se është arrestuar personi B.B. nga Shkupi, i cili u përfshi në aksidentin e djeshëm në lumin Lepenc.

Nga Prokuroria njoftuan se deri në zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit në komunikacion, prokurori publik sonte në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 48 orësh për personi i cili u ndalua pas aksidentit të mbrëmshëm.

“Bëhet fjalë për një 64-vjeçar banues të Shkupit i cili drejtonte veturën “Volkswagen Touran” me targa të Shkupit dhe i cili në momentin kritik ka parakaluar kolonën e automjeteve në të cilën ndodhej edhe vetura kosovare. Propozimi për caktimin e paraburgimit afatshkurtër është dorëzuar për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje”, informoi Prokuroria.

Në veturë ishin katër persona, prej të cilëve vetëm një shpëtoi.

Shkaqet e përplasjes janë ende duke u përcaktuar.