Nikolloski: Sistemi EES për transportuesit duhet të shtyhet

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se pajtohet me qëndrimin se vendosja e sistemit EES për transportuesit duhet të shtyhet, transmeton Portalb.mk.

Nikolloski tha se Qeveria e mbështet qëndrimin e Odës së Investitorëve të Huaj në Maqedoni lidhur me sistemin EES për hyrje dhe dalje nga BE-ja dhe njoftoi se pas seancës do të ketë takim me kryetarin e Odës Ekonomike, Branko Azeski, për këtë çështje.

“Shpresoj se presioni i përbashkët do të japë rezultat. Gjithashtu, në seancën e djeshme të Qeverisë e ngarkuam Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme që t’i drejtohet sërish BE-së me kërkesë për shtyrjen e këtyre rregullave, prandaj shpresoj që ky problem të zgjidhet, sepse është shumë i madh dhe përbën një goditje serioze për ekonomitë e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Nikolloski.

Ai theksoi se për këtë çështje me Bashkimin Evropian po diskutohet prej më shumë se një viti, por shtoi se nuk po hasin në mirëkuptim.

Sistemi i hyrjeve dhe daljeve (EES) hyri në funksion që nga 12 tetor 2025, ku mblidhen të dhënat biometrike, siç janë imazhi i fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.