Tetova përsëri pa ujë, defekt në Bllagoja Toska
Furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë në Tetovë për shkak të një defekti në rrugën ‘Bllagoja Toska’, raporton Portalb.mk.
Ndërmarrja Publike Komunale për ujë dhe kanalizim ‘Sharri’ informoi se ekipet janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerë me kapacitet maksimal për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me ujë.
“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe ju sigurojmë se uji do të rikthehet menjëherë pas sanimit të defektit”, thanë nga NPK ‘Sharri’.
Muajin e kaluar, për shkak të reshjeve dhe turbullirave, qyteti u përball me ndalesa dhe restrikcione për disa ditë, të cilat shkaktuan revoltë të madhe te qytetarët.
Defektet e ujit janë bërë përditshmëri dhe tetovarët shpesh ngelin pa pikë uji në çezmat e tyre.
- LEXO: Tetova përsëri pa ujë, shkak defekt në lagjen A.J. Zhurçin
- LEXO: Tetova mbeti dy ditë pa ujë në pikën e të nxehtit, u sanua defekti që riktheu makthin e verës për qytetarët
Viteve të fundit, qyteti është përballur vazhdimisht me restrikcione të ujit, sidomos gjatë verës dhe dimrit, të cilat kanë shkaktuar revoltë te qytetarët.
Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.
Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.
Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.
Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.
Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.
Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit vazhdon të premtojë rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.