Masterplani nxori në pah të “zezat” e ujësjellësit të Tetovës, komuna premton zgjidhje

Rrjeti i ujësjellësit të Tetovës si në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut ka shumë probleme nga ku i njëjti përballet me humbje të mëdha të ujit të cilat arrijnë deri në 60-65 përqind. Humbjet vijnë si rezultat i disa faktorëve si vjetërsia e rrjetit të ujësjellësit, të dhënave të pamjaftueshme për prurjen dhe presionin në rrjet, mungesën e orëmatësve në objekte, kyçjen e paligjshme në sistem, mungesën e planit të menaxhimit të sistemit dhe të tjera. Kjo u theksua në seancën e fundit të Këshillit Komunal të Tetovës, ku u prezantua masterplani për ujësjellësin e Tetovës dhe analiza për kyçjen në ujësjellësin rajonal. Realizimi i masave nga plani kap vlerën e miliona eurove, ndërsa komuna premton zgjidhje, shkruan Portalb.mk.

Masterplani u përpilua nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi dhe firmës Pro Inxhiniering nga Tetova, ndërsa Musa Musliu, përfaqësues dhe bashkëpunëtor për përpilimin e planit sqaroi se në bazë të të dhënave të marra nga Ndërmarrja Publike “Tetova” dhe të dhënave nga matjet e bëra në terren është përpiluar një model hidraulik duke përdorur një paketë softuerike dhe në bazë të cilit model është bërë analiza e sistemit momental të ujësjellësit të Tetovës si dhe funksionimin e sistemit në të ardhmen.

Ai sqaroi se sipas modelit hidraulik janë parashikuar tre grupe masash për funksionimin optimal të ujësjellësit në Tetovë.

  • Grupi i parë i masave: Rritja e vazhdueshme e sasisë së faturuar të ujit, reduktimi i lidhjeve paushalle me tarifë fikse, reduktimi i lidhjeve të paligjshme, ndërrimi i ujëmatësve ekzistues dhe vendosja e ujëmatësve të rinj, vënia në punë e pajisjeve ekzistuese matëse, zonimi i rrjetit të ujësjellësit në dy zona lartësie, instalimi i një rregullatori të presionit për ndarjen e zonave, instalimi i tubacioneve të reja dhe zëvendësimi i tubacioneve ekzistuese, ndërtimi i një rezervari shtesë, përmirësimi i dhomës së shpërndarjes në rezervarët ekzistuese.
  • Grupi i dytë i masave: Vënia në funksion e puseve në pjesën urbane të Tetovës, rindërtimi i plotë i rezervarëve, rikonstruimi i plotë i rezervarëve ekzistues, ndërrimi i tubave të konsumuara, sigurimi i zonave mbrojtëse të ujërave dhe të burimeve, lidhja e vendbanimeve Reçicë e Vogël dhe e Madhe me ujësjellësin e Tetovës.
  • Grupi i tretë i masave: Furnizim i pajisjeve për zbulimin dhe detektimin e vjedhjeve – humbjeve të ujit, trajnimi i stafit profesional, instalimi i një sistemi skada, edukimi i popullatës, kyçja në sistemin rajonal të Pollogut.

“Për realizimin e të gjitha masave të parashikuara më lartë është bërë edhe një analizë e investimeve të nevojshme për zbatimin e tyre. Sipas çmimeve të parashikuara vlerësohet se për zbatimin e grupit të parë të masave nevojiten diku 5.132.000 euro. Për grupin e dytë të masave nevojiten diku te 3.026.000 euro”, tha Musliu.

Këshilltari komunal nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSh), Visar Palloshi theksoi se është dashur që moti të bëhet ky plan. Megjithatë ai ka një vërejtje për të njëjtin.

“Vërejtja ime është se te ky masterplan nuk janë paraparë ujërat teknik. Ku domethënë te masterplani është paraparë uji i pijshëm të përdoret edhe për autolarje edhe për fabrika. Është mirë që kur do fillojë të zbatohet ky plan, në të njëjtën kohë të vendosen edhe gypat për ujërat teknik deri te vendet e posaçme të cilat e shfrytëzojnë atë ujë teknik. Kjo tani për tani është e mirë, mirëpo do duhet patjetër ta bëjmë edhe në të ardhmen kur do të bëhemi anëtare e Bashkimit Evropian, domethënë edhe prej BE-së kjo është rekomandim që uji teknik të shfrytëzohet për autolarje dhe fabrika”, tha Palloshi.

Por, Musliu për këtë sqaroi se në këtë rast është bërë masterplan për ujësjellësin për pije, pasi Tetova ka edhe ujësjellës teknik të cilin e shfrytëzon fabrika e Teteksit.

Vërejtjen e njëjtë e theksoi edhe këshilltari komunal nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Liridon Disha.

“Çfarë hapa konkrete merren kur nuk janë paraparë ujërat teknik. Ju ua lejoni autolarjeve, njerëzve që merren me ujitjen e tokave ujin e pijshëm ta përdorin për atë gjë. Kjo është humbje e ujit të pijshëm”, tha Disha.

Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi theksoi se do të autorizohet kryetari i komunës që të përgatis studim fizibiliteti dhe menjëherë do të shkohet me hapat e mëtutjeshëm për ta realizuar.

“Nuk do të ngelet vetëm masterplan. Por, do të shkohet në realizim, me partneritet publiko privat apo formën se si do i qasemi që të ndërrohet dhe të sillet komplet rrjet i ri i ujësjellësit”, tha Durmishi.

Në favor të këtij masterplani votuan të gjithë 26 këshilltarët e pranishëm në seancë, me çka u autorizua kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami që të porosisë studim fizibiliteti për partneritet publiko privat në pjesën e kyçjes dhe shkyçjes që qytetarëve si dhe instalimin, mirëmbajtjen dhe ndërrimin e orëmatësve.

Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra. Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të keni që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.