Tetova mbeti pa shtëpi pensionistësh, BDI e harroi premtimin

Zotimi parazgjedhor i vitit 2020 i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për ndërtimin e shtëpisë për pensionistët në Tetovë nuk u realizua. Të pyetur nga Portalb.mk se pse nuk e kanë realizuar këtë premtim, BDI hesht.

Në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve të fundit parlamentare me të cilin garoi BDI, në faqe 161 për pensionistët përmenden shtëpitë e përfituesve të pensionit.

“Krijimi dhe sigurimi i kushteve cilësore për jetesë më të mirë për gjithë përfituesit e pensionit. Ndërtimi i shtëpive të reja për pensionistët në Tetovë”, thuhet programin e BDI-së.

Katër vjet më vonë, ky premtim mbetet i parealizuar, ndërsa BDI hesht në pyetjet gazetareskePortalb.mk se pse nuk e realizoi këtë premtim të programit të tyre.

Që nevoja për shtëpi pleqsh/pensionistësh është e madhe, e kanë theksuar që vitin e kaluar për Portalb.mk edhe nga Shoqata e Pensionistëve të Tetovës, ku sipas tyre edhe pse u është premtuar para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, e njëjta nuk është realizuar ende. Kryetari i kësaj shoqate, pati theksuar se në Tetovë ka nevojë për dy shtëpi pleqsh, një shtetërore dhe një private. Ata ritheksuan këtë kërkesë edhe muajin e kaluar.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale ekzistojnë pesë institucione publike për të moshuarit, ndërsa 40 institucione tjera private të cilat ofrojnë strehim për personat e moshuar, por në Tetovë aktualisht nuk ka as shtëpi publike për pleq dhe as private.

Ndonëse Komuna e Tetovës vitin e kaluar aplikoi për ndërtimin e shtëpive për të moshuarit, projekti nuk u realizua pasi lokacioni i propozuar nuk kishte dokumentacion të pastër pronësie, lokacioni ishte në pronësi të shtetit, dhe për këtë Komuna dhe Qeveria nuk mundeshin të merreshin vesh, ndërsa Ministria thekson që financon financon vetëm projekte me marrëdhënie të pastra pronësore.

“Komuna e Tetovës deri më tani nuk ka dorëzuar aplikim të kompletuar për të shprehur interesim për financimin e ndërtimit të një shtëpie për të moshuar në komunën e Tetovës”, thanë për Portalb.mk nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Tetova me rrethinën me vite të tëra është lënë pas dore për sa i përket përkujdesit institucional për të moshuarit të cilët kanë nevojë për kujdes. Më problematike janë rastet e të moshuarve të cilët nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë dikë të përkujdeset për to.

Të dhënat e regjistrimit të vitit 2021 tregojnë se numri i popullsisë rezidente në Komunën e Tetovës që janë të moshës mbi 60 vjeç është 15,358.

Megjithatë, së bashku me komunat përreth Tetovës këto numra janë më të larta, që thekson nevojën për ndërtimin e shtëpive për pleq.