BDI nuk e plotësoi premtimin parazgjedhor, i la shkollat fillore të Tetovës pa salla sportive

Premtimi parazgjedhor i vitit 2020 i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për ndërtimin e tetë sallave sportive për shkollat fillore në Tetovë nuk është realizuar. Nga tetë sallat është ndërtuar vetëm një, raporton Portalb.mk.

programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve të fundit parlamentare me të cilin garoi BDI, te pjesa e projekteve kapitale në arsim përmendet ndërtimi i tetë sallave sportive në shkollat fillore të Tetovës.

Sipas programit sallat sportive do fillonin të ndërtoheshin në vitin 2020 dhe do të përfundonin në vitin 2024 për këto shkolla: “Bratstvo Migjeni”, “Andrea Saveski Kikish”, “Kirili dhe Metodi”, “Liria”, “Naim Frashëri”, “Istikball”, “Rilindja” në Sellcë dhe “Gjergj Kastrioti” në Xhepçisht.

Burimi: Printscreen nga Programi zgjedhor 2020-2024 i BDI-së
Burimi: Printscreen nga Programi zgjedhor 2020-2024 i BDI-së
Burimi: Printscreen nga Programi zgjedhor 2020-2024 i BDI-së
Burimi: Printscreen nga Programi zgjedhor 2020-2024 i BDI-së
Burimi: Printscreen nga Programi zgjedhor 2020-2024 i BDI-së
Burimi: Printscreen nga Programi zgjedhor 2020-2024 i BDI-së

Sot, katër vite më vonë në terren nuk janë realizuar shtatë nga këto salla sportive.

Sallë sportive është ndërtuar vetëm në shkollën “Andrea Saveski Kikish”, ku shumica e nxënësve janë maqedonas.

Salla e Sportit në shkollën fillore "Andreja Saveski Kikish" në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Salla e Sportit në shkollën fillore “Andreja Saveski Kikish” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Portalb.mk kërkoi nga BDI se pse nuk janë realizuar të njëjtat, por nga atje nuk na u përgjigjën.

Kërkuam sqarim edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por as nga ky institucion nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Mungesën e sallave sportive nxënësit dhe arsimtarët e këtyre shkollave e ndjejnë më tepër gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit kur ora e edukatës fizike duhet të zhvillohet brenda.