Nuk do të hapen në prill, është shtyrë afati për tenderët e deponive moderne në Pollog dhe dy rajonet tjera

Edhe pse ishin të paralajmëruara se në prill të këtij viti do të shpallen tenderët për ndërtimin e ndërtimin e deponive moderne rajonale sipas standardeve të Bashkimit Evropian në rajonin e Pollogut, Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor, afati ka ndryshuar. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) për Portalb.mk thonë se tenderët pritet të shpallen gjysmën e dytë të vitit 2024, por pa theksuar datën konkrete.

Ministria e Mjedisit theksoi se është duke u punuar në dokumentacionin e tenderit për blerjen e automjeteve, kontejnerëve, për ndërtimin e deponisë dhe stacionit të trasnportimit në Tetovë.

“Tenderët pritet të shpallen në gjysmën e dytë të vitit 2024”, thanë nga MMJPH.

Deri në vitin 2027 këto deponi plainifikohet të jenë të kompletuara, të vihen në funksion dhe pritet të përmirësojnë gjendjen me deponitë dhe mbeturinat në këto tre rajone, problem për të cilin Bashkimi Evropian vite me radhë alarmon me vërejtjet thuaj se të njëjta.

Me ndërtimin e tre deponive rajonale në këto rajone, do të mundësohet menaxhimi modern i mbetjeve për rreth 1 milion banorë në vend. Bashkimi Evropian e ka vlerësuar ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve si një nga prioritetet kombëtare në procesin negociator të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë hua 55.3 milionë euro nga BERZH, të cilat duhet të përdoren për të ndërtuar deponi të reja në pesë rajonet. Bëhet fjalë për objekte kapitale që duhet të rrethohen plotësisht, të ndërtuara sipas teknologjisë që do të parandalojë kontaktin e mbetjeve të depozituara me tokën dhe ujërat përreth dhe për menaxhimin e të cilave do të duhet të kujdeset një ndërmarrje e posaçme publike nder rajonale e krijuar nga të gjitha komunat brenda një rajoni.

Përveç këtyre deponive, me kredinë e BERZH-it do të ndërtohen stacione për transferimin e mbeturinave nëpër komunat pesë rajone dhe do të sigurohen kontejnerë për seleksionimin e mbeturinave për të gjitha pushtetet lokale nga Pollogu, Pellagonia, rajoni Jugperëndor, Vardari dhe rajonet juglindore, automjetet për transportin e mbeturinave dhe pajisjet e përshtatshme për shërbimet publike.

Krahas kredisë së BERZH-it, për ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve në pesë rajonet, do të ketë mbështetje financiare nga Programi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) të BE-së në shumën 22.3 milionë euro.

Gjithashtu, është ofruar mbështetje financiare zvicerane për rajonin e Pollogut dhe deponinë në “Rusino”. Megjithatë kjo ndërmarrja publike rajonale “Rusino Pollog” nuk funksionon në mënyrë të rregullt pasi ballafaqohet me sfida financiare për shkak të borxheve nga ndërmarrjet publike dhe operatorët privatë.