Kultura në Tetovë nuk u pasurua as me objekte as me festivale, siç premtoi BDI

Zotimet parazgjedhore të vitit 2020 të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për kulturën në Tetovë nuk u realizuan siç u premtuan. Të pyetur nga Portalb.mk se pse nuk u realizuan premtimet, nga BDI-ja heshtin.

Në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve të fundit parlamentare me të cilin garoi BDI, për kulturën në Tetovë ka premtime të mëdha si ndërtimi i teatrit dhe bibliotekës, themelimi i teatrit muzikor, themelimi i teatrit për fëmijë dhe për të rinj dhe institucionalizimi i festivalit “Vera Kulturore Tetovare”.

Sot katër vite më vonë, këto mbeten vetëm fjalë me (as) pak realizim.

Te prioritetet për mandatin 2020-2024, konkretisht te investimet kapitale në kulturë, kultivimi dhe ruajtja e trashëgimisë së patundshme kulturore, në faqe 155 qëndron: Ndërtimi i Teatrit dhe bibliotekës në Tetovë.

Ky objekt nuk është përfunduar ende. Për këtë objekt që premtohet që në vitin 2010, gurë-themeli u hodh në 2014, punimet janë zvarritur vazhdimisht, ndërsa aktualisht po punohet në interior. Ndërsa objekti pritet t’i hapë dyert pas tre viteve, në vitin 2027.

Ndërsa në faqe 156 te themelimi i institucioneve kulturore qëndron: Themelimi i Institucionit Nacional, Teatër Muzikor i Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me qendër në Tetovë.

“Në kuadër të këtij institucioni do të funksionojnë sektorët si: Orkestra e Teatrit, Kori profesional, Sektori i solistëve, Sektori i baletit si dhe Sektori për fëmijë. Në këtë Teatër muzikor, do të krijohen mundësi të panumërta për artistët, kompozitorët, instrumentistët, dirigjentët, koreografët, kërcimtarët dhe një rëndësi e posaçme do të ju kushtohet fëmijëve”, thuhet në programin e BDI-së.

Me 1 shkurt 2023 Qeveria e RMV-së e miratoi vendimin për themelimin të Institucionit Nacional “Ansambli Muzikor” në Tetovë. Por, i njëjti ende nuk ka realizuar aktivitete, ky institucion do funksionojë në Pallatin e Kulturës në Tetovë ndërsa muajin e ardhshëm pritet të realizohet koncerti i parë.

Në faqe 156 qëndron edhe Themelimi i një teatri për fëmijë dhe për të rinj në qytetin e Tetovës. Kjo nuk është realizuar. Në Tetovë aktualisht nuk ka teatër për fëmijë dhe për të rinj.

Në faqe 156 gjithashtu premtohet Institucionalizimi i festivalit “Vera Kulturore tetovare”.

“Që në vitin 2020 numëron edicionin e tetë ku do të përfshihet muzika klasike, xhez muzika, rok grupe. Ky festival përfshin edhe letërsinë, dramën, filmin dhe artet e aplikuara. Ky festival duhet të ketë kontinuitet dhe të renditet në një nivel me “Verën e Ohrit””, thuhet në program.

Ky festival jo vetëm që nuk u institucionalizua, por pas humbjes së BDI-së në Tetovë në zgjedhjet lokale të vitit 2021 ky premtim u harrua. Vera e Kulturës Tetovare regjistroi tetë edicione deri në vitin 2021. Ndërkaq pushteti lokal aktual, edhe pse jo nga BDI vazhdoi me organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore të verës tetovare në 2022 dhe 2023.