Spitali i Tetovës nuk u bë me Qendër Klinike Universitare dhe as objekt të ri siç premtoi BDI

Zotimet parazgjedhore të vitit 2020 të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për Spitalin e Tetovës nuk u realizuan siç u premtuan. Të pyetur nga Portalb.mk se pse nuk kanë realizuar premtimet e programit të tyre, BDI hesht.

Në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve të fundit parlamentare me të cilin garoi BDI, për Spitalin e Tetovës në faqe 144, 145 dhe 178 mes tjerash, ka premtime të mëdha si qendra klinike universitare, ofrimi i shërbimeve terciare dhe ndërtimi i objektit të ri ku do të vendosen terapia fizikale, infektologjia, onkologjia, dermatovenerologjia etj.

Katër vjet më vonë, nga këto premtime mbeten vetëm fjalë të shkruara, të parealizuara.

Nga Spitali i Tetovës për Portalb.mk konfirmuan se “Jo, Spitali i Tetovës nuk ka Qendër Klinike Universitare. Spitali i Tetovës nuk ofron shërbime të mjekësisë terciare”.

Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë për Portalb.mk theksoi se Spitali Klinik në Tetovë e ka statusin e spitalit klinik, gjegjësisht kryen veprimtari shëndetësore në nivelin sekondar të kujdesit shëndetësor.

“Sipas rregulloreve ligjore, çdo institucion që plotëson kushtet me hapësirë, pajisje dhe staf për ofrimin e kujdesit shëndetësor në një nivel më të lartë, duhet të fillojë procedurë përkatëse, për marrjen e statusit të institucionit të nivelit terciar“, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkaq BDI hesht në pyetjet gazetareskePortalb.mk se pse nuk i realizoi këto premtime të programit të tyre.

Kujtojmë që BDI ka qeverisur me poste udhëheqëse në shëndetësi.

BDI pas zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut 2020 ka pasur postin e zëvendësministrit të shëndetësisë me të cilin ka udhëhequr Ilir Hasani, i cili dha dorëheqje dy ditë pas tragjedisë së 8 shtatorit të vitit 2021 ku në zjarrin në spitalin modular të Tetovës jetën e humbën 14 persona.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, drejtor mjekësor i spitalit të Tetovës ka qenë nga BDI, Florin Besimi, njëherit edhe vëllai i ministrit aktual të Financave Fatmir Besimit. Ai dha dorëheqje nga ky post dy ditë pas tragjedisë së zjarrit në spitalin modular të Tetovës. Besimi edhe paraprakisht ka qenë në funksionin e drejtorit.

Pas ndryshimeve në udhëheqësinë e spitalit të Tetovës si rezultat i ndryshimit në përbërjen qeveritare, BDI udhëhoqi me drejtorin organizativ të spitalit, konkretisht në këtë post erdhi Armend Fazliu. Por, ai u shkarkua nga kjo detyrë nga ministri i Shëndetësisë pasi ai nuk ishte në vendin e tij të punës ditën kur ndodhi skandali i TikTokut në repartin gjinekologjik. Në këtë pozitë u emërua kuadër tjetër i BDI-së, Blerim Osmani i cili është edhe aktualisht në këtë pozitë.