Tetori Rozë – “E jotja është të më shpallësh luftë, e imja të fitoj”

Tetori Rozë shënohet botërisht si muaji i sensibilizimit të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit. Por, si zhvillohet kjo luftë? Duke luftuar pa u dorëzuar dhe duke parandaluar përmes kontrolleve të rregullta. Çdo e teta grua është e prekur nga kanceri i gjirit. Me këtë betejë shtyhet çdo ditë një ushtri e madhe grash në çdo cep të globit, por, a e dini se këto gra dinë diçka që ne nuk dimë?! Ditët e tyre janë plot jetë, ndërsa jetët tona përbëhen nga ditë bosh. Portalb.mk ju drejtohet grave më të forta sot.

Shkrepi; Iden Temali, në foto: Rita Gjeka
Shkrepi; Iden Temali, në foto: Rita Gjeka

Ditët e tyre duken të shkurta pasi kanë kuptuar thelbin e jetës, ndërsa tonat të gjata pa fund dhe pa kuptim. Spitali, ky vend kaq i vogël bëhet vend i shpresave të mëdha, i lutjeve dhe altruizmit, i të qenit me çdo kusht, veç mos vuajnë ata që duan ato më shumë. Kur dikush më pyet ç ‘është ajo që të ka mrekulluar në jetë, me plotë gojë them: ” pikërisht, këto gra ”

Përpjekja e tyre për ta fituar luftën, kur duket sikur kancerit i thonë: “e jotja është të më shpallësh luftë, e imja të fitoj”.

Rastësisht isha dëshmitare në një kurorëzim me një vajzë të re që prej vitesh kishte mundur s’di sa herë “djallin e zi” , çuditërisht,  s’qemë takuar më parë në udhët e gjata të jetës. Stili i saj i flokëve të shkurtër ishte gjëja më e veçantë që kisha parë, kombinuar me veshjen, vetëbesimin, bukurinë…

 

Unë: Më pëlqen kjo prerje flokësh.

Ajo: Po, edhe mua tani më pëlqejnë. Por, s’është se i kam prerë, efekt anësor i kimio-terapisë.

(sikur më vuri në një test, më të rëndin deri atë ditë)

Unë: Imagjino që ndonjëherë bien sëmundjet për të gjetur stilin e flokëve që na shkon më shumë.

(Qeshëm të dyjat)

Ajo: Është humori që na duhet më shumë se mëshira dhe keqardhja që na e japin njerëzit zakonisht.- tha ajo.

(Rrodhi një bisedë e gjatë mbi këtë temë, ku shihja një kënd të ri prej ku bota dukej më qartë, më me shumë ngjyra)

Një mike pata ca ditësh më bëri pjesë të grupit  ”Jemi dashuri/ Lubov sme” ku gratë janë bërë bashkë për t’ia zgjatur dorën njëra- tjetrës. Secilës për t’ia treguar rrugën ,për ta drejtuar atje ku duhet, si duhet. Për të marrë ndonjë këshillë, për të ndarë përvoja. Mbi 4000 anëtare shqiptare dhe maqedonase bashkë  ndanin fotografi, informacione, ndanin ditët, momentet, dhe mbi të gjitha që më bëri përshtypje, ndanin një “chat”  me emrin “ndihmë psikologjike- psiholloshka pomosh” . Ishte një dorë (emoji) që ngrihej edhe thoshte ” edhe mua më duhet ndihmë”. Ndihmë profesionale që askujt nuk i shkon ndërmend ta ofroj. Ndihmë e mohuar nga spitalet tona. Shërimi i çdo sëmundjeje fillon nga gjendja mendore, ashtu siç edhe kanceri më i keq është një mendim i keq që vështirë kalon.

Shkrepi; Iden Temali, në foto:Ema Andrea
Shkrepi; Iden Temali, në foto:Ema Andrea

Gratë që më frymëzojnë, inspirojnë janë këto që ballafaqohen me këtë luftë çdo ditë, ditën dhe natën kur gjejnë strehë për të qarë, kur nuk i sheh askush.

Është luftë e përditshme e përbërë nga pafundësisht beteja, pa u lodhur e pa pushuar, luftë me tumoret, metastazat, luftë për t’i zgjatur momentet me njerëzit që duan. Jeta është e bukur dhe kush më së miri se këto gra e dinë këtë. Ato nuk shqetësohen më për veshjet firmato, për zgjatjen e thonjve, perdet e palara, për rrëmujën në shtëpi për gjëra të imëta e probleme të kota. Nuk i nxjerr asgjë prej takti, nuk e humbasin lehte toruan,  asnjë problem nuk u duket i madh e i pazgjidhshëm, asnjë situatë pa rrugëdalje derisa nuk lidhet me shëndetin e tyre. Kur krejt tjerat kanë fontanë dëshirash, ato kanë vetëm një:  duan të jenë. Nuk u vënë veshin njerëzve të pacipë e të paedukuar, qeshin karshi tyre, sepse dinë diçka që të tjerët nuk e dinë dhe sado të tmerrshme qofshin sëmundjet kanë dhe anën e mirë të tyre, kupton se nuk duhet ta vrasim mendjen për gjërat e vogla dhe të gjitha gjërat në jetë përveç shëndetit, janë të vogla.

Te asnjë grua s’kam parë të qeshur me të bukur e më me zemër sesa te këto gra. Ditët e tyre janë plot jetë, ndërsa jetët tona me ditë boshe shumë. Ato janë dielli vet që rrezatojnë e ngrohin edhe në ditët me shi.

Një filozof fillon e banon brenda tyre. Kanë tjetër maturi e pjekuri. Shijojnë ndryshe jetën, çastin, nuk shpërdorojnë më asgjë si më parë.

Shkrepi; Iden Temali, në foto: Jozefina Delia
Shkrepi; Iden Temali, në foto: Jozefina Delia

Gjatë ‘’Tetorit rozë’’ mendova se ishte gjë e rrallë të gjesh një grua me kancer gjiri, mbase dhe juve ju duket kështu, por jo. Nxora një “status” në Facebook ku kërkoja publikisht një heroinë që do ta thyej akullin e para dhe të fliste hapur në emision për sëmundjen, pas shumë bisedash arrita që ta bind profesoreshën e Universitetit të Tetovës Florinda Muhaxheri Imerin por ajo kishte një brengë, nuk dëshironte fëmijët të kuptonin për vuajtjen e saj, kishte një rezervë për një qëllim mbinjerëzor dhe në momente të ndjera si këto, ajo kursente nga dhimbja ato që do.

Në tetorin e radhës (që ishte vjet), dy zonjat e pashembullta Narta Kasa Iseni dhe Antigona Seferi më lanë gojëhapur se si me të parën herë pranuan të ndajnë përvojat e tyre publikisht duke u bërë shkas që shumë gra të caktojnë kontrolle rutinë pas të cilave u ndjen si të shpëtuara, me qindra mesazhe falënderuese, motivuese për zonjat të cilat u bënë krah i fortë dhe burim kuraje për shumë të tjera që ishin në prag dorëzimi. Nga ajo ditë, ngado kam shkuar dhe kam takuar gra, pasi përmendnin zonjat e lartpërmendura, nxirrnin si refren fjalinë: “edhe unë” . Aq shumë janë, sa nuk e merrni me mend! Vuajnë në heshtje. Nuk duan ta pranojnë.  Shërimi fillon pas pranimit. Shumica e këtyre grave luftojnë realitetin në vend të sëmundjes, ndaj është e nevojshme ndihma psikologjike mbi gjithçka tjetër.

 

Fotografitë e shkrimit janë shkrepur nga Iden Temali

  • Ekspozita e veçantë me 15 fotografi u mbajt në Shkodër . ‘’Gruaja që triumfoi: Ne neglizhojmë dhimbjet e trupit dhe përtojmë të ikim tek doktori’. Gratë e fotografuara ishin pjesë e sensibilizimit të fushatës.