Sulmi kundër Kosovës sugjeron zhvillime të paparashikuara në të ardhmen

Përderisa SHBA-ja ka kërkuar nga Serbia tërheqjen e trupave ushtarake nga kufiri me Kosovën, dhe NATO ka vendosur të rrisë numrin e ushtarëve në Kosovë, ngjarjet e fundit në veri ku njësi të specializuara serbo-ruse sulmuan policinë e Kosovës duke vrarë një pjestarë të policisë së shtetit, janë indikatorë se terrorizmi nuk është vetëm vepër e aktorëve jo shtetërorë, por i sponzorizuar edhe nga vetë shtetet për qëllime të caktuara politike.

Nga video regjistrimet e publikuara pas sulmit në Banjskë të Kosovës ku vërehen forca të armatosura ndryshe të konvertuara në aktorë vendimtar joshtetërorë apo grupe rebele, terroristë, paraushtarakë, dalin disa versione të besueshme të qëllimit të misionit serbo-rus për të rritur paqëndrueshmërinë politike dhe etnike në veri. Në rastin konkret, sulmi i organizuar mbi policinë kosovare duke kërcënuar sovranitetin e Kosovës për qëllime të caktuara, ka një strategji dhe taktikë të zbatuara nga grupet e armatosura serbe, duke u orvatur të zgjerojnë sulmin në një kryengritje serbe që në thelb sfidon shtetin e Kosovës.

Grupet paraushtarake historikisht janë kontribues të jashtëzakonshëm për realizimin e qëllimeve ekspansioniste, marrjes në kontroll të një territori dhe nxitjes së trazirave. Grupet paraushtarake nuk veprojnë gjithnjë si të pavarura, ata kanë një mbështetje të madhe dhe sekrete nga qeveritë e këtu nga politika serbe. Përleshjet në veri të Kosovës në Banjskë dhe përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të vënë nën kontroll të plotë këtë pjesë të territorit të Kosovës, janë një tregues më shumë se politika serbe ka qenë e interesuar dhe vazhdon të jetë në vazhdimësi e angazhuar që me anë të operacioneve të fshehta të destabilizojë Kosovën dhe njëkohësisht rajonin. Një luftë e re në Ballkan, është një shërbim i madh për Rusinë. Dhe këtë ngritje të tensioneve që po e bën Beogradi shkon në favor të pozitës së ndërlikuar të Rusisë jo vetëm në Ukrainë, por edhe në skenën ndërkombëtare. SHBA -ja dhe BE-ja si palë negociatore në bisedimet aktuale në mes Kosovës dhe Serbisë, poqese dëshirojnë një marrëveshje, duhet të ndryshojnë kursin e negociatave.

Nëse realiteti i ri pas vrasjes së policit kosovarë nga forcat paraushatarake serbe nuk do të kuptohet nga SHBA-ja dhe BE-ja, atëherë konflikti është afër, pasi Serbia dhe Rusia nuk do t’i ndërpresin aksionet e tyre për të hapur një krizë tjetër në Ballkan – Kosovë. Nga aspekti teorik, shtetet për t’i arritur qëllimet shpeshherë përdorin grupe të organizuara mirë paraushtarake për të filluar projekte kombëtare-separatiste. Këtë Serbia e shfrytëzoi në përpjekje për të sjellë një moment më të mirë për serbët në Kosovë dhe sigurisht me idenë e nisjes së një revolte të armatosur serbe.

Kryengritja e paramenduar serbe u hetua në kohë të duhur nga pala kosovare dhe shërbimet e huaja perëndimore. Kërcënimi i sigurisë së Ballkanit dhe destabilizimi i Kosovës do të jenë përpjekje të përhershme të politikës serbe dhe ruse. Edhe pse ultranacionalisti Millan Radojeçiç dhe njëherit nënkryetarë i partisë që vepron në Kosovë “Lista Srpska”, ka marë përgjegjësinë e organizimit të sulmit në Banjicë, nuk ka se si të komentohet ndryshe e vërteta se aksioni terrorist serbo-rus ishte një përpjekje për një kryengritje të kufizuar serbe në Kosovë. Nga ana tjetër Beogradi ka bërë disa lëvizje që të mjegullojë vëmendjen e SHBA-së rreth rolit që ka pasur në ngjarjet në veri të Kosovës dhe më gjërë. NATO gjithashtu ka reaguar me anë të një kumtese duke bërë thirrje për qetësi.

BE-ja si gjithmonë nuk është e aftë të bëjë më shumë dhe as të saktësojë se nga kush po destabilizohet Kosova dhe rajoni. Jo se diplomatët e BE-së nuk e dinë këtë, por përshkak të interesave kombëtare dhe lidhjeve historike me Serbinë nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë. Në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare, pas sulmit serbo-rus, Kosova ka gjasa të mira në bisedimet e ardhshme me Serbinë. Pozicioni i saj do të përmirësohet dukshëm krahasuar me disponimin anti- Kosovë që ekziston në diplomacinë e BE-së dhe jashtë unionit. Qeveria, presidenca dhe partitë opozitare në Prishtinë, aktualisht kanë një moment të rëndësishëm historik që të flasin me një zë dhe të gjejnë një zgjidhje se si ta mbajnë këtë avantazh diplomatik kundër Beogradit. Në perspektivë, Serbia dhe elementë rusë në Ballkan do të jenë të pranishëm në Kosovë dhe Bosnjë me të gjitha mjetet e luftës hibride. Shqetësuese mbetet që pakica serbe është e manipuluar nga radikalët dhe oligarkët serbë të Kosovës dhe të qeverisë së Beogradit. Gjithashtu kishat serbe mbeten një burim i përhapjes së dhunës dhe bazë mjaft e mirë për ndonjë sulm të ardhshëm të grupeve paraushtarake kundër Kosovës. Është me rëndësi që të kontrollohen dhe vihen nën vëzhgim të gjitha kishat serbe në Kosovë, për arsye të vënies së tyre në shërbim të operacioneve inteligjente dhe klandestine nga Serbia dhe Rusia. Ballkani dhe Kosova pas sulmit të së dielës po qëndrojnë në mes paqes dhe konflikteve lokale të sponzorizuara nga Serbia dhe Rusia. SHBA-ja ka një moment tjetër të volitshëm që të marrë në dorë çështjet dhe më pas të përfshijë shtetet evropiane në planin e zgjidhjes së qëndrueshme të krizave në Ballkan pra atë të Kosovës dhe Bosnjës. Opsioni është që shtetet e BE-së që refuzojnë njohjen e Kosovës nën presionin amerikan ta bëjë njohjen. Dhe po Kosova të vazhdojë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Më tej të ndërpritet përkëdhelja perëndimore ndaj Serbisë, sepse nuk sjell asgjë të re për Ballkanin.

Në fund të bëhet çmos që ambiciet serbe për luftë të reduktohen me pakësimin e ndihmës ushtarake dhe ekonomike perëndimore ndaj Serbisë. Paqja dhe marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë më afër nësë do të ndiqet ky kurs diplomatik dhe ekonomik nga Perëndimi. Ndryshe, koha do të vërtetojë se pa këto veprime, Serbia dhe Rusia do të jenë nxitësit e përhershëm të destabilitetit dhe mospajtimeve në mes popujve në Ballkan, duke bërë përpjekje të krijojnë “zona speciale” të sigurisë nën ndikimin serbo-rus apo të krijimit të një Donbasi të ri në Ballkan. Një skenarë i tillë do të ishte disfatë për SHBA-të dhe demokracitë e brishta të Ballkanit. Në fund, sulmi serbo-rus në veri të Kosovës ishte një skenar për kryengritje. Ishte i hershëm dhe i paralajmëruar në vështrimet tona rreth politikave serbo-ruse për destabilizimin e rajonit dhe veriut të Kosovës në forma të ndryshme.

Cënimi i paqes së brishtë në Ballkanin Perëndimor duhet të parandalohet përpara se të përfshihen të gjitha aktorët gjeopolitikë të interesuar për një vatër të re lufte.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.