Tetori këtë mot – rozë në botë, i zi në RMV pas skandalit në Onkologji!

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Muaji tetor si çdo vit edhe sivjet në botë do të shënohet “rozë” me fushata për rritjen e ndërgjegjësimit dhe vetëdijes për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Por, në Maqedoninë e Veriut, ndryshe nga vitet e tjera sado që do mundohemi ta ngjyrosim me rozë, zor se e pastrojmë të zezën pas skandalit të Onkologjisë në Shkup.

Shkurt e qartë, fiks para një muaji, në fillim të shtatorit përmes një aksioni/bastisjeje të Policisë dhe Prokurorisë në Klinikën e Onkolijgisë në Shkup u bë publike ajo që për disa tashmë ishte e njohur, dyshime për keqpërdorime të detyrës zyrtare në dëm të pacientëve, vjedhje dhe shitje e terapive shtetërore në formë private. Kjo hapi dyshimet se pacientëve me kancer u është dhënë terapi e gabuar. Rastin e zbardhën mediat, duke publikuar informacione se punonjësit e klinikës në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

I gjithë ky skandal, jam i sigurt se te të gjithë ata që kanë kaluar nëpër korridoret dhe dhomat e kësaj klinike, ngjalli pikëpyetjen se mos ndoshta edhe atyre u është dhënë terapia e gabuar. E që në numër nuk janë pak, vetëm ata që kanë kaluar atyre korridoreve e dinë dhe e ndjejnë më së miri këtë.

E gjithë kjo aferë jo që zbehi atë pak besim në shëndetësi, por kjo ishte një thikë pas shpine për këtë klinikë e cila predispozohet që të shpëtojë jetë, e jo të marrë atë qëllimisht. Klinika e Onkologjisë duhet të shërbejë si dritë në fund të tunelit, e jo si errësirë si në këtë rast.

Kushedi sa persona kanë humbur jetën vetëm për shkak të dëshirave jonjerëzore të disa frymorëve të cilët vetëm njerëz në këtë rast nuk mund të quhen.

E janë këta raste të zeza që njollosin edhe ata mantelbardhë të cilët bëjnë punën e tyre me përkushtim, kjo medoemos duhet të zbardhet urgjentisht dhe në formë shumë transparente pasi besimi në këtë institucion do të vazhdojë të humbet dhe do të reflektojë në shëndetësinë e këtij vendi.

Pas kësaj autoritetet dolën me deklarata se terapia që e marrin pacientët është e sigurt, por sa kjo u largon dyshimet pacientëve, mbetet pikëpyetje e madhe!

Përgjegjësi politike jo e jo, pasi kjo është një “rregull i (pa)shkruar” në këtë vend tashmë. Partitë dhe politikanëve deklaratat ua kemi mësuar përmendësh kur dalin skandale të tilla.

Përgjegjësi penale patjetër të ketë për këtë rast pasi aty bëhet fjalë për keqpërdorime me një nga sëmundjet më të rënda prej së cilës vdesin njerëzit, por praktika deri më tani na ka dëshmuar se edhe kur digjen trupat e njerëzve të gjallë, përgjegjësi nuk ka, modulari në Tetovë është dëshmia që askush tani më nuk mund ta fshijë sepse tymi ka shkuar deri në qiell.

Institucionet e hetuesisë vijojnë punën e tyre në zbardhjen e rastit, i njëjti duhet të zbardhet tërësisht dhe sa më shpejtë. E ndërkaq një infermiere hajdute e terapive është e padisponueshme për forcat e rendit. E njëjta ishte kapur edhe para tre viteve, por u kthye në punë, dhe çfarë? E përsëriti aktin.

E megjithatë e mira e së keqes në këtë rast ishte interesimi i pacientëve të Onkologjisë për të ndihmuar në këtë proces dhe prokurorinë, shpresoj që të reflektojë në zbardhjen e rastit dhe ndëshkim të autorëve, dhe të njëjtëve pacientë të mos u vritet shpresa edhe njëherë.

Protestat vijuan por përgjegjësia nuk duhet të jetë e vonuar, që mos të na kapë edhe një tetor i zi vitin e ardhshëm. Pasi ky i sivjetshmi do të shënohet nën hijen e zezë të këtij skandali.

E si mund të jetë tetori rozë këtë mot përveç se i zi pas skandalit në Onkologji?

Opinioni pret përgjegjësi!

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.