Tensione të reja maqedono-greke, por këtë herë në fushën e hendbollit. Këto ditë pritet që Federata Evropiane e Hendbollit të njoftojë për më shumë detaje rreth ngjarjeve në Shkup me rastin e mosmbajtjes së ndeshjes së dytë finale të Kupës Evropiane të FEH midis Allkalloid dhe ekipit grek AEK ditën e diel (25.05) në sallën Boris Trajkovski. Ekipi grek vendosi të mos dilte në fushën e Qendrës Sportive Boris Trajkovski në Shkup për shkak se tifozëve të tyre nuk ju lejua ta ndjekin ndeshjen, shkruan Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.
Shpjegimi zyrtar nga FEH ishte se “finalja e Kupës Evropiane të FEH midis Allkalloid dhe AEK në Shkup është anuluar për arsye sigurie”. Informacion shtesë për rezultatin e mëtejshëm të duelit pritet të publikohet së shpejti.
Reagime pati edhe në Shkup edhe në Athinë
Zhvillimi i papritur i ngjarjeve shkaktoi reagime si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Greqi. Nga Klubi i hendbollit Allkalloid shprehën keqardhje që ndeshja nuk u mbajt “sepse skuadra mysafire nuk donte të dilte në fushë dhe të luftonte në mënyrë sportive për kupën e kësaj gare”.
Mbështetësi kryesor i klubit të hendbollit Allkalloid, Zhivko Mukaetov, përmes rrjeteve sociale i falënderoi të gjithë tifozët që ishin të pranishëm në sallë dhe dërgoi mbështetje të fortë për klubin nga Maqedonia, i cili është në prag të suksesit historik në fushën e hendbollit evropian. Ai është i mendimit se KH Allkalloid i ka përmbushur të gjitha kërkesat e institucioneve kompetente sa i përket organizimit të ndeshjes dhe kishte shpresë se Federata Evropiane e Hendbollit do të marrë një vendim në përputhje me rregulloret sportive.
“Ky duhej të ishte përfundimi i një historie të bukur në të cilën është investuar shumë punë, përpjekje dhe burime. Shpresojmë për një vendim në pajtim me rregulloret sportive në fuqi të FEH”, tha Mukaetov.
“Vendim i vështirë, por i domosdoshëm”
Reagime pati edhe nga ana e klubit grek. “AEK do të thotë nder, krenari, respekt, vlera morale. AEK do të thotë familje, AEK do të thotë union! Mbështetja më e madhe për AEK përgjatë gjithë historisë kanë qenë tifozët e tij dhe mosrespektimi i tifozëve është mosrespektim për AEK”, njoftoi klubi grek pas vendimit për të mos luajtur në ndeshjen kundër Allkalloid në Shkup, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina.
Nga AEK theksojnë se udhëheqësia “njëzëri ka marrë një vendim të vështirë, por të domosdoshëm”. Sipas tyre, “asnjë fuqi nuk mund t’u bëjë padrejtësi tifozëve, siç u përpoqën ta bënin autoritetet lokale të Shkupit”. Ata komentuan se padrejtësia ka kulmuar me faktin që disa prej tifozëve nuk u është lejuar ta kalojnë kufirin dhe të hynë në Maqedoni.
“Jemi të gjithë këtu, vazhdojmë të bashkuar, nuk negociojmë për nderin e AEK”, shtuan nga klubi grek.
Portali grek “Enosi” para ndeshjes publikoi se disa autobusë me tifozë të AEK ishin ndaluar në pikën kufitare dhe nuk u ishte lejuar hyrja dhe se udhëheqësit e AEK në një takim me FEH e kishin bërë të qartë se ekipi nuk do të dilte në fushë nëse tifozëve të tyre nuk u lejohej ta kalonin kufirin.
Ndeshja e dytë midis Allkalloid dhe AEK nga finalja e Kupës Evropiane të FEH ishte planifikuar të luhej të dielën në orën 20:30 në sallën “Boris Trajkovski”. Biletat e blera në internet tifozëve do t’u rimbursohen brenda 15 ditëve.
Në ndeshjen e parë në Athinë Allkalloid fitoi me rezultatin 29:25.
Kujtojmë se dy vendet kanë pasur mosmarrëveshje prej gati 7 vitesh. Marrëveshjes historike në Prespë mes Maqedonisë dhe Greqisë, që u arrit në vitin 2017, i dha fund këtij sherri 27-vjeçar, për çështjen e emrit, pasi pretendonte se Maqedonia e ka vjedhur emrin e një rajoni grek. Si rrjedhojë, Maqedonia e Veriut e ndryshoi emrin, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes së vendit i cili kulmoi me anëtarësimin në NATO, por nuk i nisi negociatat për anëtarësim, pasi ia preu udhën Bullgaria, e cila nuk e njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas, duke pretenduar se janë bullgare.