Shtëpia Botuese Onufri paditi Kasamin dhe Komunën Tetovës për shkelje të autorësisë, nga kjo e fundit mohojnë akuzat

Shtëpia botuese Onufri nga Shqipëria në prokurorinë e Tetovës, dorëzoi padi ndaj komunës dhe kreutt saj Bilall Kasami, për shkelje të të drejtave të autorësisë. Nga kjo shtëpi botuese thonë se Komuna ka blerë libra nga një shtëpi botuese e cila nuk i ka të drejtat për botimin e librave të Ismail Kadaresë, transmeton Portalb.mk.

“Arsyeja pse unë vij këtu të padis komunën është se, është skandaloze që shteti të merr një mall të vjedhur dhe ta dhuroj. Unë do padis komunën e Tetovës sepse unë nuk njoh dikë që e ka bërë. E atë që thoni se e kanë blerë shkollat, e ka blerë komuna dhe i dhuron. Libri i Ismail Kadaresë, libri ikonë i tij Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur është botuar me kopertinë tjetër dhe me emër shtëpia botuese Rilindja, kurse gjithë e dimë se Onufri  ka të drejtën ekskluzive të Kadaresë”, tha Bujar Hudhri, Shtëpia Boturse “Onufri”.

Komuna e Tetovës nga ana tjetër ka mohuar akuzat. Albion Alili tha se as Komuna e as kryetari i saj nuk ka porositur dhe as blerë libra dhe se librat janë blerë nga vetë shkollat e mesme.

“Komuna e Tetovës dhe kryetari as nuk ka porositur libra e as nuk ka blerë libra. Librat janë blerë nga vetë shkollat e mesme, me mjetet e tyre vetanake dhe do me thënë janë blerë nga Shtëpia Botuese “Çabej” – Tetovë. Ne si Komunë nuk kemi blerë libra, aq më pak kryetari i Komunës”, tha Alili.