Pas 27 vitesh në arrati, është arrestuar në Greqi Aco Bocevski – “Cigani”

Shtetasi maqedonas Aco Bocevski, i njohur me nofkën “Cigani”, i cili ka qenë në arrati për më shumë se dy dekada, është arrestuar në qytetin grek të Katerinit, konfirmoi Ministria e Brendshme. Policia thotë se sot kolegët e tyre grekë i informuan se e kishin privuar Bocevskin nga liria, transmeton Portalb.mk.

“Sot (26.05.2025) u informuam nga policia greke se e kanë privuar nga liria Aco Bocevskin, i cili kërkohej me urdhër arresti ndërkombëtar me urdhër të Gjykatës Themelore Shkupi I të datës 30.06.1998 për vuajtje të dënimit me burg prej 15 vitesh për një krim të kryer sipas nenit 123 (vrasje) të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë”, tha Ministria e Brendshme.

Bocevski u dënua për vrasjen e Seat Ibraimit, të kryer në mes të ditës në nëntor të vitit 1997 në qendër të Shkupit. Vrasjes i parapriu një ndjekje e shkurtër me makina nëpër rrugët e Shkupit, pas së cilës Ibraimi, duke drejtuar një Mercedes, doli nga rruga pranë ndërtesës së kompanisë së sigurimeve “Qubi”. Bocevski, i cili po ngiste një Corvette, u ndal pas tij, doli nga automjeti dhe me gjakftohtësi qëlloi Ibraimin me disa të shtëna, duke zbrazur një karikator të tërë nga arma.

Edhe pse i dënuar, Bocevski iku pasi iu dha arrest shtëpiak dhe i shpëtoi me sukses zbatimit të ligjit për vite me radhë. Një nga urdhër-arrestet ndërkombëtare më të vjetra u lëshua për të në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme.

Me arrestimin e tij, pritet ekstradimi në Maqedoni, ku do të duhet të vuajë dënimin me burg.