Të vrarët në Çellopek ishin babë e bir, kushërinj të të dyshuarit, në vendngjarje u gjetën tre pistoleta

Dy të vrarët nga të shtënat e djeshme në fshatin Çellopek të Tetovës janë babë e djalë 52 dhe 28 vjeç. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një 54-vjeçar. Të tre, siç njoftojnë nga Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Tetovë, ishin të afërm të vrasësit të dyshuar 59-vjeçar. Të gjithë jetonin në të njëjtin fshat, transmeton Portalb.mk.

Duke i prezantuar detajet e ngjarjes, SPB Tetovë njoftoi se i dyshuari, i cili gjithashtu ka pësuar lëndime me armë zjarri, është ndaluar në stacionin policor dhe është dërguar në spitalin e Tetovës, ku i është ofruar trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes është a kryer këqyrje nga prokurori publik dhe një ekip inspektues.

Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar tre armë. Njëra nga armët i është marrë të dyshuarit, ndërsa dy të tjerat janë gjetur në afërsi të të ndjerëve.

“Me urdhër të prokurorit publik, trupat e të ndjerit janë dorëzuar për obduksion”, njofton MPB e Tetovës.

Sipas informacioneve fillestare të policisë, siç deklaroi dje ministri Oliver Spasovski, shkak për vrasjen e dyfishtë janë marrëdhënia e pazgjidhur pronësore familjare.