Liderja e opozitës serbe Marinika Tepiq në grevë urie prej dhjetë ditësh

Deputetja serbe dhe një nga lideret e opozitës, Marinika Tepiq, tashmë prej dhjetë ditësh është në grevë urie për shkak të mashtrimeve zgjedhore në Serbi më 17 dhjetor. Në një prononcim për televizionin H1, Tepiq thotë se vendimi i saj për grevë nuk ka për qëllim institucionet vendase, por komunitetin ndërkombëtar, transmeton Portalb.mk.

Pavarësisht lutjeve nga vende të ndryshme për t’i dhënë fund grevës, Marinika Tepic është e palëkundur në vendimin e saj për të vazhduar grevën e urisë. Ajo beson se tashmë është arritur mjaft me faktin se deri më tani në 12 vitet e fundit nuk ka ndodhur që liderët e shteteve nga BE-ja dhe SHBA-të të mos e urojnë Aleksandar Vuçiqin dhe Partinë Progresive Serbe për fitoren e tij.

“Nuk ka ndodhur kurrë që misioni monitorues i OSBE-së të dalë me konkluzione dramatike për konfirmimet e vjedhjes së zgjedhjeve dhe parregullsive të shumta”, tha Tepic.

Siç thekson ajo, greva e saj e urisë ka për qëllim komunitetin ndërkombëtar, nga i cili pret të krijojë një komision me vëzhgues dhe ekspertë ligjorë për të përmbledhur gjithçka që është thënë në një përfundim të vetëm dhe të bëhet revizion i zgjedhjeve të mbajtura në mënyrë që të mund të anulojë zgjedhjet.

Ndërkohë, iniciativa civile “ProGlas” u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të shtunën nga ora 12 të vijnë në qendër të Beogradit, ku është planifikuar protestë kundër mashtrimit zgjedhor dhe keqpërdorimit të vullnetit të qytetarëve. Njëra nga drejtueset e “ProGlass”, aktorja Svetlana Bojkoviq, ka thënë se ndoshta qeveria e Aleksandër Vuçiqit do të dëshirojë të krijojë kaos dhe të depërtojë në institucione dhe në fund këtë t’ia atribuojë qytetarëve protestues, transmeton Danas.

“Presim që me pjesëmarrjen masive të votuesve të jemi më të fuqishëm se abuzimi me procesin zgjedhor që ka përdorur prej vitesh qeveria. Por migrimi masiv i votuesve fantazmë nga një pjesë e vendit në tjetrin dhe nga shtetet e tjera të Serbisë, manipulimi i planifikuar dhe i organizuar i kërkesave për qëndrim dhe listës së votuesve, të paprecedentë në historinë e mashtrimeve zgjedhore – nuk mundëm t’i kapërcejmë. Në këto zgjedhje ka pasur një riformësim të paparë të vullnetit elektoral të qytetarëve të Serbisë”, thuhet në letrën e “ProGlas”, e cila fton qytetarët në protestën që do të mbahet të shtunën në Beograd.