Ministri Spasovski foli në lidhje me vrasjen e dyfishtë që ndodhi sot në Çellopek të Tetovës

Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Oliver Spasovski, ka theksuar që vrasja e sotme në Çellopek ka ndodhur për shkak çështjeve të pazgjidhura pronësore, raporton VoCentar, transmeton Portalb.mk.

“Për momentin kolegët punojnë në raport me zbardhjen e ngjarjes, bëhet fjale për çështje të pazgjidhura pronësore në një familje. Këto janë të dhënat e para që i kanë dërguar kolegët tanë nga terreni. Presim që së shpejti të kompletohet gjithë procesi dhe do të kemi më shumë informata të detajuara”, deklaroi Spasovski në një vizitë që e realizoi në NjPB Gazi Baba.

Ai theksoi që autoritetet janë duke punuar për zbardhjen e rastit, për çka do të ketë edhe më shumë detaje.

Ndryshe, pasditen e sotme ka ndodhur vrasje e dyfishtë në fshatin Çellopek të Tetovës, sulmuesi po ashtu nga Çellopeku është lënduar dhe është dërguar në Spitalin klinik të Tetovës.

“Është arrestuar një person 60-vjeçar me iniciale I.I. nga fshati Çellopek, pas një raportimi rreth orës 14:10 se ka vrarë 2 kushërinjtë e tij nga i njëjti fshat dhe ka plagosur njërin prej tyre”, thanë nga SPB-Tetovë.