Të mos duash çfarë nuk ke

Një fjalë e urtë kineze thotë kështu: “Nuk është i lumtur ai që ka çfarë do, por ai që nuk do çfarë nuk ka”. Në një botë materialiste ku të gjithë duan më shumë se ç’kanë, sa e vështirë është të mos duash çfarë nuk ke, e të jesh në fakt i lumtur sipas kësaj proverbe! Si të gjitha fjalët e urta, sigurisht edhe kjo është rezultat i urtësisë që vjen me vite dhe me përvojë. Por sa të paktë janë ata që e kuptojnë!

Studime të ndryshme kanë treguar që pasi të jetë kaluar pragu i ekzistencës elementare, pra sapo të kemi fituar aq sa për t’i kënaqur nevojat tona esenciale, tejkalimi i bollëkut nuk sjell domosdoshmërisht lumturinë. Ka njerëz që kanë shumë gjëra por kjo nuk i bën të lumtur. Ka të tillë që zotërojnë pasuri të mëdha, por as kjo nuk i bën të lumtur. Ka nga ata që kanë shumë pushtet mbi njerëzit tjerë, e megjithatë nuk janë të lumtur. Njerëzimi vuan gjithnjë e më tepër nga depresioni dhe nga shqetësime të ngjashme, ndërsa asnjëherë më parë nuk ka jetuar në bollëk më të madh. Kohë më parë njerëzit kanë vdekur nga uria, ndërsa sot në pjesën më të madhe të botës vdesin nga sëmundjet që janë rezultat i bollëkut: nga sëmundjet kardiovaskulare dhe nga diabeti, që janë vrasësit më të mëdhenj në botë. Me fjalë tjera, njeriu është duke u mbytur në bollkëkun e vet. Kërkesat tona për më shumë e më shumë e më shumë, kanë pasoja të rënda në shoqëri, por pasojat më të rënda e tangojnë mjedisin jetësor që nuk arrin ta kënaqë asessi lakminë tonë të pafund për më shumë. Duke kërkuar më shumë, njerëzit punojnë më shumë që të fitojnë më shumë. Kalojnë orë të tëra duke punuar për të fituar paga që nuk kanë kohë ti harxhojnë me njerëzit e tyre të dashur. Sakrifikojnë resursin më të çmuar që e kanë, kohën, duke kaluar orë të gjata nëpër punë të cilat nuk ju pëlqejnë, për të blerë gjëra që nuk u duhen, me para që nuk i kanë sepse i kanë marë me kredi, e gjithë kjo për t’u bërë përshtypje njerëzve të cilët nuk i duan. Kështu thonë minimalistët që kanë kuptuar diçka nga kjo jetë, e kanë kuptuar esencën e asaj proverbe që thotë se lumturia qëndron pikërisht në gjendjen ku nuk dëshiron diçka që nuk e ke.

Po sa vështirë është të arrish në këtë gjendje kur çdo ditë, me mijëra herë në ditë, bombardohemi nga marketingu i kompanive që gjithnjë kanë diçka për të na ofruar, diçka që ne nuk e kemi, e as që e kemi ditur se na duhet, diçka që kur ta kemi, domosdoshmërisht do të na bëjë shumë më të lumtur se që jemi. Dhe kështu fillon rrethi vicioz i të blerit të pakontrolluar të gjërave që nuk kanë asnjë kuptim e nuk na kënaqin. Pastaj blejmë më shumë duke menduar se do të kënaqemi një ditë. Dhe kështu mbetemi të pakënaqur gjithë jetën.

Dhe një ditë kuptojmë se lumturia e vërtetë na ka kaluar nëpër gishta në kohën kur ne vraponim pas parave për të blerë gjëra të pakuptimta që tani as nuk na kujtohen ku dhe pse i kemi blerë, e as se i kemi pasur ndonjëherë. Lumturia e vërtetë ka qenë aty ku fëmijët tanë i kanë hedhur hapat e parë dhe i kanë folur fjalët e para. Lumturia e vërtetë ka qenë në ditët e mbremjet e kaluara bashkë me njerëzit e dashur. Lumturia ka qenë shetitja në natyrë dhe muzika e valëve të detit që na ka mbetur në kujtesë gjithmonë. Lumturi kanë qenë ato çaste që i ruajmë në memorien tonë dhe te të cilat kthehemi sa herë që bota materiale na zhgënjen dhe sa herë ndihemi keq. Lumturia ka qenë ajo që e kemi jetuar e nuk e kemi çmuar sa duhet kur e kemi pasur. Sepse vjen një ditë dhe mund të mos e kemi më.

Lumturia nuk është një destinacion ku mund të arrijmë. Lumturia është mënyrë e jetës. Po mësuam të jetojmë ashtu që te jemi të kënaqur dhe të plotësuar, duke mos dëshiruar gjithçka që na shohin sytë dhe duke mos u lodhur kaq shumë për të pasur gjithçka që nuk kemi, po mësuam t’i çmojë bekimet që na rrethojnë, aty do ta gjejmë lumturinë që kaq gjatë e kërkojmë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.