Të miturit shqiptarë pjesë e konsiderueshme e emigracionit të ri në Evropë

Shqipëria vijon të jetë një nga vendet kryesore të origjinës së të miturve që marrin leje qëndrimi në Bashkimin Evropian, raporton Euronews.

Nga 147.500 leje qëndrimi të lëshuara për të mitur në Evropë, 19.000 ose 13% i takojnë shtetasve shqiptarë, duke e renditur vendin tonë të tretin, pas Ukrainës me 21% dhe Bjellorusisë me 15%.

Raporti i Eurostat i referohet vitit 2024, kur në mbarë botën u dhanë 540.000 leje qëndrimi për të mitur, ndërsa Evropa përfaqësoi një pjesë të konsiderueshme prej 27%.

Këto shifra tregojnë se kontinenti përballet çdo vit me një numër të madh të miturish që kërkojnë të integrohen në sistemet arsimore dhe sociale të vendeve anëtare të BE-së.

Rritja e kërkesave nga Shqipëria lidhet kryesisht me bashkimin familjar, më pas me mundësitë për arsimim dhe perspektivat e një jete më të qëndrueshme në vendet pritëse.

Në shkallë globale, Azia është rajoni me numrin më të madh të të miturve që marrin leje qëndrimi, me 201.000 fëmijë, që përfaqësojnë 37% të totalit botëror. Në krye të listës së shteteve aziatike renditen Siria, Afganistani dhe India.

Pas Azisë, Afrika përbën 21% të totalit botëror, me 112.000 të mitur, nga të cilët një pjesë e madhe vijnë nga Maroku, Egjipti dhe Nigeria.